Agjencioni Kundër Korrupsion sot ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë të zyrtarëve shtetëror.
Për pasurinë është deklaruar edhe drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj, shkruan Gazeta Shneta.
Gjocaj është në marrëdhënie pune në tri institucione. Ai është drejtor i QKUK-së ku merr pagë vjetore mbi 13 mijë e 300 euro, profesor në Kolegjin ‘Universi’ pagë 1 mijë euro dhe profesor në Fakultetin e Shkencave Mjekësore ‘Rezonanca’ me pagë poashtu 1 mijë euro.
Ai ka publikuar 4 prona të paluajtshme në pronësi të tij dhe familjes. Gjocaj ka një lokal në vlerë prej 70 mijë eurosh, për të cilin thotë se e ka përfituar nga shitja e pasurisë.
Drejtori i QKUK-së banon në shtëpinë 140 mijë euroshe, për të cilën ka deklaruar se ka prejardhjen nga familja e gruas së tij. Në total pronat e paluajtshme të Gjocajt kapin shumën prej 730 mijë euro.
Bashkëshortja e drejtorit të QKUK-së ka në pronësi një veturë Passat në vlerë 6 mijë Euro. Ajo poashtu posedon aksione 100 për qind në biznesin NSHT “Shendi-1”, e cila ka kapital prej 7 mijë eurosh. Nga ky biznes viti e kaluar kanë përfituar 2 mijë e 281 euro.
Doktor Gjocaj ka para të gatshme në bankë mbi 10 mijë euro, ndërsa është duke e larë një kredi me 429 euro deri në dhjetor të këtij viti. /Gazeta Shneta/