Nikotina është e pranishme në qumështin e nënës. Shumë nëna konsumuese të duhanit, shpeshherë përdorin refrenin e njohur : “ta pi një cigare e pastaj ushqej djalin”, “po e pi një sa është vajza në gjumë, se pastaj zgjohet e nuk më lë” .Në të dyja rastet, nikotina është prezente në sasi maksimale në organizëm, por edhe në qumështin e gjirit posa foshnja të kërkojë gjirin. Ta keni parasysh se gjysma e sasisë së nikotinës, që keni marrë nëpërmjet një cigareje, largohet nga organizmi juaj për 1,5 orë. Pra, duhet të prisni të paktën 1,5 orë për t’i dhënë fëmijës suaj vaktin tjetër, pasi që të keni konsumuar duhan.
Cilësia e qumështit të nënës ndërron me prezencën e nikotinës .
Pirja e duhanit ndikon në statusin hormonal të nënës dhe përcjelljen e sinjaleve për prodhimin e qumështit, pra kemi të bëjmë me pakësim të theksuar të sasisë së qumështit të gjirit.
Pirja e duhanit ndikon në zvogëlim të prolaktinës, e cila ka ndikim në zvoglimin e prodhimit të qumështit nga nëna.
Pirja e duhanit nga nëna ndikon në shtimin e mundësisë për vdekje të befasishme të fëmijës, pra vdekje pa asnjë shkak të fëmijës.
Pirja e duhanit nga nëna ndikon direkt në rritjen e rrezikut për sëmundje të traktit respirator të fëmijës, në veqanti të bronhitit, reaksioneve alergjike etj
Pirja e duhanit nuk është arsye për të ndërprerë gjidhënjen por e kundërta, gjidhënja është arsye për ti dhënë fund pirjes së duhanit.
Pirja e duhanit mund të jetë arsye e fuqishme që fëmija juaj nuk shton në peshë, pra ngecë mbrapa në zhvillimin e tij.
Pirja e duhanit është arsye që fëmija ka dhimbje më të shprehura nga gërqet e barkut, së paku mundësia dyfishohet tek fëmijët, nënat e të cilëve konsumojnë duhan.
Të vjellura dhe probleme të tjera të traktit digjestiv, janë shumë më të shpeshta tek fëmijët, nënat e të cilëve konsumojnë duhan.
Pirja e duhanit nga nëna, zvogëlon aftësinë thithëse të foshnjës.
Mos u tundoni nga thirrjet e firmave farmaceutike se : “qumështi i nënës që konsumon duhan është i dëmshëm dhe alternativë të jetë qumështi artificial”. Konsumimi i duhanit dhe qumështi janë dy gjëra të ndryshme. Gabimi i nënës duhanpirëse, nuk duhet të ndikojë që nëna të bëjë edhe një gabim më të madh, duke ia ndërprerë fëmijës gjidhënjen.
Pirja e duhanit nga nëna, mund të jetë shkak që fëmija të qajë pa arsye, fëmijë që kurrë nuk “rehatohet”.
Pirja e duhanit nga nëna dhe qëndrimi në ambiente ku pihet duhani, mund të jetë shkak për zhvillim të proceseve malinje në vitet e mëvonshme për fëmijën.
Pirja e duhanit nga nëna, mund të jetë shkak për zhvillimin e Asmës bronhiale të fëmija në vitet e mëvonshme.
Si ta pakësojë rrezikun për fëmijën një nënë duhanpirëse
Zgjidhja më e mirë do ishte ndërprerja e pirjes së duhanit. Kurrë mos ndaloni së përpjekuri.
Nëse i dini të gjitha dëmet e duhanpirjes, por ende nuk po gjeni dot forcën për të ndërprerë pirjen e duhanit gjatë gjidhënjes, atëherë po iu paraqesim disa këshilla që i zvogëlojnë dëmet tek fëmija nga pirja e duhanit nga nëna, qoftë edhe nga pirja pasive e duhanit :
Nëse nuk keni arritur të gjeni dot forcë për ndërprerjen e pirjes së duhanit si nënë, si njeriu më i afërt për fëmijën tuaj, atëherë së paku pakësojeni deri në minimum. Pakësoni numrin e cigareve që konsumoni brenda ditës, qoftë edhe pak cigare brenda ditës. Kur numri i cigareve kalon 10-15 në ditë, rreziku shtohet dukshëm për nënën dhe foshnjën.
Asnjëherë mos realizoni gjidhënjen, mënjëherë pasi keni pirë cigare. Koha e nevojshme për eleminim të nikotinës ose përgjysmim të prezencës së saj në gjak është 60 deri 90 min. Për këtë arsye, nëse pini duhan, së pari ushqejeni me gji fëmijën dhe pastaj konsumoni duhan. Kjo bëhët me qëllim që deri në vaktin tjetër, të kalojnë së paku 2 orë pa konsumuar duhan./GazetaShneta/