Vetëm pak muaj pasi në Kosovë vdiqën dy pacientë dhe u prekën mbi 1 mijë nga fruthi, programi i imunizimit konsiderohet si i suksesshëm
Në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme është shënuar fillimi i javës së imunizimit me moton “Të mbrojtur së bashku, vaksinat veprojnë”.
Java e imunizimit organizohet nga MSH, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe UNICEF.
Zëvendësministri Rrustem Musa ka deklaruar se programi i imunizimit ka shënuar sukses viteve të fundit, duke theksuar se objektivi kryesor është vaksinimi i fëmijëve.
Drejtori i Institutit, Naser Ramadani ka pohuar se programi i imunizimit po zbatohet në mënyrë të shkëlqyeshme në Kosovë.
Këtë deklaratë ai e jep vetëm pak muaj pasi në Kosovë vdiqën nga fruthi dy persona, ndërsa mbi 1 mijë të tjerë u prekën nga kjo sëmundje.
“Ky sukses është i të gjithë neve me të cilin mburremi. 95 për qind e fëmijëve vitin e kaluar kanë qenë të vaksinuar, ne kemi parandaluar me sukses epideminë e fruthit e cila ka qenë e shpërndarë jo vetëm në vendin tonë”, ka thënë Ramadani.
Shefi i zyrës së UNICEF në Kosovë, Brandao Co, ka deklaruar se në Kosovë është një përfshirje e gjerë e imunizimit, mirëpo duhet të bëhet më shumë për të përfshirë edhe grupet e cënuara si komunitetet RAE.
E pranishme ka qenë edhe Besa Baftiu, kryetare e komisionit parlamentar për shëndetësi, e cila ka thënë se do të përkrahë këtë program. /Gazeta Shneta/