Ish-anëtari i komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Xhavit Bicaj të enjten është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Deri te lirimi i të akuzuarit, sipas kryetarit të trupit gjykues Shashivar Hoti, ka ardhur pasi nuk është vërtetuar se ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej nga organi i ndjekjes.
Bicaj po akuzohej se në cilësinë e ish-anëtarit të komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të QKUK-së, u kishte dërguar testet me 29 pyetje dhe përgjigje të sakta, dy kandidatëve Sonja Blakaj dhe Ramë Miftari, nga 30 kandidatëve sa kishin konkurruar gjithsej.
I njëjti për këtë vepër penale në nëntor të vitit 2017 ishte dënuar me një vit burgim me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë, mirëpo pas ankesës së tij, Gjykata e Apelit për shkak te shkeljeve të evidentuara e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Gjykatësi Hoti, me rastin e shpalljes së aktgjykimit deklaroi se pas propozimit të Gjykatës së Apelit për marrjen e provave të reja është vepruar në atë mënyrë.Sipas tij, trupi gjykues ka konsideruar më pas se gjendja faktike nga gjykimi i parë ka ndryshuar.
Ai ka thënë se është bërë ekspertizë e teknologjisë informative duke vënë kështu në zbatim udhëzimet e Gjykatës së Apelit.Sipas aktakuzës, Xhavit Bicaj, më 31 korrik 2014, si anëtar i komisionit vlerësues për përzgjedhjen e kandidatëve për pozitën e drejtorit të njësive përkatëse të QKUK-së, kishte shkelur të drejtat e të tjerëve, duke ju dërguar testet me 29 pyetje dhe përgjigje të sakta, dy kandidatëve Sonja Blakaj dhe Ramë Miftari, nga 30 kandidatëve sa kishin konkurruar gjithsej. /BetimipërDrejtësi