Një video e siguruar nga emisioni “Fiks Fare” tregon pamjet e Spitalit të Sarandës, ku shihen personeli i po këtij spitali duke bashkëpunuar me një agjenci funeralesh kundrejt pagesës 10-20mijë lekë.
Punonjës të spitalit pranojnë se, sa herë ka raste vdekjesh njoftohet prej tyre agjencia funerale me telefon dhe lejojnë të rrinë personat dhe mjetet e zyrave funerale në ambientet e spitalit, pavarësisht se kjo është në kundërshtim me ligjin dhe me urdhrat e autoriteteve përkatëse.
Në “Fiks Fare” u ankuan disa qytetarë për abuzimet nga personeli i Spitalit të Sarandës. Madje, sipas ankesave, më shpejt njoftohen agjencitë funerale për vdekjen e një personi në spital, sesa njoftohen familjarët e viktimës.
Pas ankesës së qytetarëve, gazetarët e “Fiksit” verifikuan situatën edhe në spital, ku gjatë bisedave me ndihmësmjekë, infermierë e punonjës të ndryshëm të spitalit, pranohet se agjencia funerale bashkëpunon me stafin për të marrë njoftime për vdekjet, megjithëse kjo është e ndaluar që prej vitit 2015, kur ka dalë një udhëzim i ministrit të Shëndetësisë dhe një urdhër i drejtorit të spitalit.
Madje, në një rast, vet pronarja e agjencisë funerale “Bebri” vjen me një furgon në oborrin e spitalit, pasi do të priste një të vdekur dhe askush nuk e ndalon, pavarësisht se nuk lejohet. Ndërsa një infermiere tregon se pronarja e agjencisë funerale jep 10 mijë lekë për personin që e njofton se ka rast vdekjeje në spital.
Një rast i tillë kishte ndodhur edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gazeta Shneta kishte arritur të raportojë në lidhje me skandalin e pazarit me kufoma, që po e mundësonin personeli mjekësor dhe kompania transportuese “Ngushëllimi”.
Personeli mjekësor pranon se agjencitë funerale njoftohen nga vet ata, edhe pse ka një urdhër dhe udhëzim prej gati 3 vitesh që nuk duhen lejuar.