Familjarët kanë akuzuar mjekët për kujdesin jo të duhur ndaj Kosta Raçi, 63 vjeç, i cili së fundmi kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale në ezofag.
Ndërsa, policia ka bërë me dije se ka filluar procedura penale ndaj mjekut 64-vjeçar, të cilit i jepen vetëm inicialet, e që e ushtron detyrën e tij në qendrën spitalore universitare ‘’Nënë Tereza’’.
Kjo procedurë penale ndaj tij filloi pasi 63-vjeçari Raçi në banesën e tij në lagjen Nr 9 në Korçë, është gjetur i vdekur, ndërsa kishte kryer një ndërhyrje kirurgjike një javë më parë në kryeqytet. Ishte pikërisht mjeku i QSUT ai që e ka bërë këtë ndërhyrje kirurgjike, e që familjarët dyshojnë se mjeku ka qenë i pakujdesshëm, siç raporton TCH.
Familjarët e të ndjerit kanë kërkuar ekspertizën mjekësisë dhe asaj ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes derisa sipas policisë nga kontrollimi i trupit të viktimës, ku nuk janë konstatuar ndonjë shenjë të dhunës. Në anën tjetër në Fier, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për pezullim të detyrës të mjekes familjare Ina Ruzhdija, e cila akuzohet për trajtim jo të duhur.
Sipas Gjykatës së Fierit, kjo mjeke nuk ka mjekuar dhe nuk ka ndërhyrë për të shpëtuar 21-vjeçaren Xhuljeta Gjeka, e cila gjeti vdekjen, ngjarje e cila ka ndodhur me 12 shkurt të këtij viti në urgjencën e spitalit rajonal të Fierit.