Një pacientë ndërroi jetë muajin e kaluar në Klinë, vetëm pak kohë pasi ishte kontrolluar nga mjekët në QKMF. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria, ndërsa është raportuar edhe në Inspektoratin Shëndetësor të MSH-së
Burri A.G. 43 vjeçar, pasi nuk ndihej mirë u drejtua për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë më 1 prill të këtij viti. Pasi u kontrollua nga mjekët, atij i thanë të shkojë në shtëpi. Por vetëm pak kohë më vonë ai do të ndërronte jetë, shkruan Gazeta Shneta.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më datën 1 prill ka marr njoftimin se në Urgjencën e Spitalit të Pejës është sjellë një person pa shenja jete. Zyra për Media e Policisë në rajonin e Pejës, ka bërë të ditur për Gazetën se pacienti pasi nuk ndihej mirë sërish ishte rikthyer në QKMF ku më pas është udhëzuar për në Spitalin e Pejës.
“Patrullat policore kanë shkuar në QMF në Klinë dhe nga mjeku kujdestar janë informuar se Viktima mashkull K/Shqiptar (A.G.1975) rreth orës 17:00 kishte bërë një kontroll mjekësore dhe me pas ishte lënë i lirë pasi që ishte ndier më mirë. Viktima pas një kohe të shkurtër kishte kërkuar prapë ndihmën e mjekut, ku mjeku kujdestar i kishte bërë një kontroll dhe i kishte dhënë udhëzimin për në Spitalin rajonal në Pejë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Policia ka intervistuar me këtë rast një teknike mjekësore e cila ka qenë në orar të punës dhe e pranishme në autoambulancë në kohën kur tashmë viktima ishte transportuar për në Spital.
“Sipas dëshmitares femër K/Shqiptare (teknike mjekësore ) e cila kishte qenë në autoambulancë në përcjellje të viktimës, ka raportuar se viktima gjatë rrugës për në spital kishte ndërruar jetë”.
Gazeta ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e QKMF-së në Klinë, Drita Gjergji, por e njëjta nuk ka pranuar të flas për rastin duke u arsyetuar se ka takim zyrtar. Rastin është duke e hetuar edhe Prokuroria e Shtetit. Policia nuk ka bërë të ditur detaje tjera nga rezultati i obduksionit të trupit të viktimës.
Rasti është raportuar poashtu nga familjarët në Inspektoratin Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë./Gazeta Shneta/