Gjatë ditës së sotme janë pezulluar programet operative në të gjitha klinikat e kirurgjisë deri rreth orës 10:00 në mungesë të medikamentit Fentanyl. Klinikat kanë rifilluar punën në salla pas furnizimit me këtë medikament, por në dy prej tyre Kirurgji Torakale dhe Urologji intervenimet kanë dështuar.
Dështimi i operacioneve në këto dy klinika ka ndodhur pas vonesës së furnizimit me Fentanyl, dhe pasi pacientët kanë dal jashtë përgatitjes paraoperative, ka mësuar nga burime Gazeta Shneta.
Por ndryshe deklarojnë zyrtarët për informim të QKUK-së. Ata thonë se puna në sallat e operacionit në QKUK po zhvillohet sipas programit operativ të paraparë nga klinikat kirurgjike.
“Zyra për medie SHSKUK njofton se Barnatorja Qendrore është furnizuar me 7000 copë ampula Fentanyl 50mcg/ml; 2ml dhe menjëherë janë distribuar në Klinikën e Anestezionit me Mjekim Intenziv Qendror. Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë konfirmon që rastet të cilat kanë qenë në program janë kryer sipas planit të paraparë dhe puna po zhvillohet normalisht në klinika”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Gazeta raportoi gjatë ditës së sotme se në QKUK sërish është paraqitur mungesa e medikamentit Fentanyl. Kjo situatë pati ndodhur edhe vitin e kaluar ku si pasojë ndodhi anulimi i programit të operacioneve. /Gazeta Shneta/