Oda e Mjekëve të Kosovës ka shtyrë pagesën e anëtarësisë për vitin 2019 për shkak të borxhit që SHSKUK iu ka mbetur mjekëve në pagat e muajit dhjetor 2018 dhe janar 2019
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës iu mbeti borxh mjekëve dhe infermeirëve me minus 30 për qind të pagesës për kujdestari, përkatësisht ndërrime, për muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe janar të këtij viti. E ky borxh i SHSKUK-së ka bërë që Oda e Mjekëve të ketë mirëkuptim për anëtarët e saj, shkruan Gazeta Shneta.
OMK ka nxjerr një urdhëresë ku shtyhet ekzekutimi i pagesës së anëtarësisë për këtë vit, derisa SHSKUK t’ua kthej borxhin mjekëve.
“Shtyrja e ekzekutimit të anëtarësisë vjetor për vitin 2019 bazohet në mospagesën e kompensimit të pagesës shtesë, dy muaj radhazi, për personelin shëndetësorë të SHSKUK-së, që do të duhej të realizohet me pagat e muajit shkurt 2019”, thuhet në këtë urdhëresë.
Afati për pagesën e anëtarësisë është shtyrë deri më datën 31 mars. OMK ka shprehur mirëkuptimin për gjendjen socio-ekonomike të anëtarëve të saj pasi SHSKUK nuk ua ka paguar kujdestaritë e plota.
“Shtyrja e pagesës së antërësisë vjetore sipas paragrafit II të kësaj Urdhërese, bëhet po ashtu nën arsyen e gjendjens socio-ekonomike të vështirësuar të personelit shëndetësor që është shkaktuar me rastin e mospagesës së kompensimit të pagave shtesë për punën e kryer dy muajt e fundit”, thuhet në pikën tre të kësaj urdhërese.
Gazeta ka raportuar edhe më parë për borxhin e SHSKUK-së për muajin dhjetor dhe janar. Ky borxh prej 30 për qind për kujdestari dhe ndërrimet pritet të kompensohet në muajin mars. Zyrtarët e SHSKUK-së kanë deklaruar se kjo ka ndodhur për shkak të mosmiratimit të buxhetit. /Gazeta Shneta/