Kirurgu Elmi Olluri ka reaguar ndaj artikullit të Gazetës Shneta “‘Eksperimenti’ i kirurgut të QKUK-së: Ia ngjiti dorën pastaj ia hoqi, pacienti vdiq dy ditë më vonë”.
Olluri ka konsideruar në reagimin e tij se artikulli e ka dëmtuar padrejtësisht. “Shkrimi në fjalë përmban shumë gjëra të pavërteta dhe si i tillë është shpifës dhe fyes në raport me mua”, ka shkruar Olluri në ankesën e tij, duke mos përmendur specifikisht për çfarë shpifje bëhet fjalë.
Gazeta Shneta me këtë rast sqaron publikun se artikulli i lartcekur bazohet në deklaratën zyrtare të familjes së pacientit të ndjerë. Familja e pacientit Shefqet Fetahaj kanë ngritur dyshime për vdekjen e tij më 5 dhjetor 2018, pasi kirurgu Elmi Olluri ia kishte ngjitur dorën e këputur dhe të njëjtën ia kishte hequr një ditë më vonë. Pas operacionit ku i ishte hequr gjymtyra, Fetahaj kishte ndërruar jetë.
Fetahaj kishte pësuar një aksident në vendin e tij të punës ku i ishte këputur dora. Familjarët kanë treguar se deri në arritjen në spital ai kishte qenë në gjendje stabile. Madje kështu kishte deklaruar edhe vet Olluri para se të hynte në sallën e operacionit. Familjarët kanë treguar poashtu se Olluri madje ju kishte treguar edhe fotografi nga operacioni për ngjitjen e dorës duke u krenuar me ‘suksesin’ e tij.
Gazeta Shneta para se të publikoj artikullin i ka dhënë afat disa ditësh Ollurit për të dhënë sqarimet e tij në lidhje me këtë rast. Ai nuk ka pranuar të jap sqarime.
Redaksia e Gazetës Shneta dëshiron të theksoj me këtë rast se nuk ka asnjë tendencë dhe asnjë qëllim ndaj mjekut në fjalë.
Më poshtë është linku i artikullit të plotë.
“Eksperimenti” i kirurgut të QKUK-së: Ia ngjiti dorën pastaj ia hoqi, pacienti vdiq dy ditë më vonë