Oda e Mjekëve të Kosovës ka për qëllim t’i mbrojë dhe financojë mjekët për edukim të vazhdueshëm, por nuk do t’i kursejë ata mjekë që i trajtojnë pacientët me papërgjegjësi. Kështu ka deklaruar kryetari i Odës Dr. Pleurat Sejdiu
Ortopedi Pleurat Sejdiu u zgjodh kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës më 14 dhjetor të vitit të kaluar. Ai thotë se këtë organizatë e gjeti me zero aktivitet dhe financa si dhe të bllokuar nga ish-strukturat politike të Ministrisë së Shëndetësisë.
Sejdiu në një bisedë për Gazeta Shneta deklaron se para se të zgjidhej kryetar kishte bërë një plan 6 mujor i cili parashihte funksionalizimin e Odës, bartjen e kompetencave që iu takojnë me ligj dhe anëtarësimi i mjekëve. Deri më tani janë bartur tri kompetenca nga Ministria e Shëndetësisë në Odë, Mbikëqyrja etiko-profesionale, kompetencat e Komisionit për Edukim të Vazhdueshëm dhe Licencimit, ndërsa ka mbetur edhe çështja e specializimeve që pritet të bartet në fund të qershorit. Licencimi i të huajve ka mbetur në MSH sepse ashtu e parasheh Udhëzimi Administrativ.
Komisioni Etik deri më tani ka marr 2 vendime për dy raste të raportuara. Sejdiu zotohet se organet e Odës nuk do të lejojnë që të bëhen lëshime në rastet kur mjekët janë fajtorë.
“Oda është më e kontrolluar sesa Komisionet e SHSKUK-së. Ka pas shumë hezitime të anëtarëve që të konkurrojnë në pozitat për Prokurorët apo Gjyqi i Nderit. Ka shumë të këqija, shumë të mira por edhe shumë insinuata. Mediat do të ishte mirë t’i ndiqnin deri në fund rastet dhe nëse shfajësohet mjeku të publikohet. Gjithsesi Oda do të jetë shumë e rreptë dhe jam i bindur se këto organe do ta ndajnë të mirën prej të keqes”, ka deklaruar ai.
“E dimë se ka me pas vështirësi por besoj se Oda do t’ia dalë. Këtë problem e kanë pothuajse të gjitha Odat. Ne nuk e kemi fuqinë e gjyqit por vendimet do t’i marrim dhe e dimë se dikush ka me u prek. Nëse anëtarët e këtyre organeve do të fshehin diçka në çfarë do raste, ata do të marrin përgjegjësi për këtë”, ka shtuar Sejdiu.
Ortopedi bën të ditur se janë në proces të dy akteve ligjore të cilat do të përcaktojnë licencimin e ekspertëve ligjor dhe ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë penale të mjekëve. Me këtë synohet që rastet e mjekëve të trajtohen si raste civile e jo penale.
“Mbi 80 për qind e lëndëve që janë trajtuar në Kosovë kanë shkuar si vepra penale e jo civile. Asnjë mjek nuk besoj që e bën një vepër me qëllim, por nuk do të thotë se nuk duhet të përgjigjet për këtë vepër. Prandaj synimi jonë është që këto lëndë të shqyrtohen si lëndë civile e jo penale”.
Sejdiu ka treguar se deri më tani janë anëtarësuar 3 mijë e 159 mjekë, dhe sipas listave zgjedhore mungojnë edhe rreth 300 që nuk janë anëtarësuar. Kuota e mjekëve që paguajnë nga rrogat e tyre për Odën është 0.8 për qind. Sejdiu bën të ditur se deri më tani kanë mbledhur rreth 60 mijë euro në llogarinë e Odës nga mjekët e sektorit publik dhe privat. Këta të fundit janë rreth 220 anëtarë, ndërsa të huaj rreth 20 mjekë.
Sejdiu ka folur edhe për planifikimin e specializimeve dhe organizimin e tyre deri tek provimet. “Oda së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë e bëjnë planifikimin e lëmive të cilat janë të nevojshme në terren dhe MSH hap konkursin, i kontrakton ndërsa Oda e bën mbikëqyrjen e tyre. Pastaj bëhet vëzhgimi i ecurisë së specializimeve dhe i organizon provimet specialistike. Poashtu i organizon edhe subspecializimet”, ka thënë Sejdiu.
Kryemjeku i Kosovës ka treguar se i kanë dorëzuar propozimet e tyre për ndryshimet në Ligjin e Pagave ku mjekët do të paguhen sipas gradimit, kualifikimit dhe rrezikshmërisë në punë. “Duhet të ketë një dinjitet në krahasim me profesionet tjera. Një mjekë me një shkollim 6 vjeçar nuk mund të krahasohet me një ekonomist 3 vjeçar”, konsideron Sejdiu.
Së fundmi ai është përballur me akuza të rënda nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë. Sejdiu ka marr pjesë në kongresin “Turizmi Shëndetësorë” për çka FSSHK ka reaguar ashpër duke ngritur dyshime se pas kësaj konference fshihet një krim i organizuar në dëm të pacientëve kosovarë.
Sejdiu thotë se gjithçka ka filluar pas përcaktimit të kuotës prej 0.8 për qind, për çka sindikalistët kanë kërkuar të jetë 0.5 për qind. Pa i përmendur emrat e tyre, por duke aluduar në kryetarin Blerim Syla dhe nënkryetarin Xhemajl Selmani, Sejdiu thotë se të dy i ka miq të afërt por thotë se është e padenjë për ta që të deklarohen se nuk anëtarësohen në Odë për shkak të “filanit”.
“Ne nuk kemi probleme me Sindikatat, por ata kanë probleme me neve. Edhe unë jam anëtar i Sindikatës por ata nuk po mund të adaptohen me realitetin ku është edhe një organizatë ku merren me të drejtat e një pjese të sektorit të shëndetësisë. Dikujt jam duke i penguar edhe unë personalisht, por nuk e kam këtë problem”, ka deklaruar në fund kryetari i OMK-së, Pleurat Sejdiu. /Gazeta Shneta/