Klinikat e kirurgjisë plastike pothuajse kanë dyfishuar të ardhurat gjatë vitit 2016 në raport me 2015-n. Vitin e kaluar, pesë prej tyre qarkulluan mbi 2 milionë dollarë, me zgjerim vjetor në total prej 80%. Rritja e kërkesës në treg për shërbime të kësaj natyre ka nxitur edhe shtimin e numrit të bizneseve në këtë sektor.
Si po kthehet kompleksi shqiptar i hundës në një biznes milionash, ndërsa po rritet kredia konsumatore për ndërhyrje plastike. Problem mbetet i lartë informaliteti dhe risku i salloneve të paspecializuar që kryejnë procedura të vogla.
Të gjithëve na ka qëlluar të përballemi me “sfidën” e një fotoje të përsosur. Kërkojmë këndin më të mirë, ndriçimin më të mirë, dhe sigurisht kemi një profil të fytyrës që na duket se del gjithmonë më bukur se tjetra. Pas 1 milion tentativave ia dalim të zgjedhim një. Edhe pse kemi bërë më të mirën, sërish gjejmë gjëra për të korrigjuar, por disa zgjedhin ta lënë këtë vetëm me mendime dhe të kërkojnë ndihmë tek aplikacionet e telefonit apo filtrat, të tjerë kërkojnë ndihmën e një kirurgu plastik.
Në Tiranë, sot oferta është e bollshme për nga numri i klinikave dhe spitaleve që i ofrojnë këto ndërhyrje. Kjo nis nga spitali shtetëror, në këtë rast Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” deri te spitalet private, klinikat më të vogla të orientuara vetëm tek ndërhyrjet plastike e në fund te disa sallone që, në mënyrë formale apo informale, bëjnë korrigjime sidomos te fryrja e buzëve. Pavarësisht kësaj oferte duket se numri i këtyre klinikave vazhdon të rritet dita-ditës si kërpudhat pas shiut, e nxitur nga kërkesa e lartë.
Shumica e tyre operojnë si persona fizikë, duke u regjistruar në emrin e mjekut kyç që kryen edhe ndërhyrjet.
Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në bilancet zyrtare të deklaruara nga klinikat kryesore estetike tregojnë për një rritje të ndjeshme të të ardhurave të tyre përgjatë 2016-s. Xhiro e 5 klinikave kryesore rezulton të jetë rritur me rreth 80% me bazë vjetore, transmeton Gazeta Shneta.
Klinikat e kirurgjisë estetike u shfaqën me një marketing agresiv në vitet 2013-2015, që duket se ka funksionuar.
Në dinamikën e zhvillimit të këtij tregu që po rritet në mënyrë të jashtëzakonshme ka ndikuar zgjerimi gjeografik i kërkesës ku tashmë të huajt po zgjedhin edhe turizmin kirurgjikal në Shqipëri, sepse kostoja është disa herë më e ulët se në vendin e tyre.
Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar në bilancet zyrtare të deklaruara nga klinikat kryesore estetike tregojnë për një rritje të ndjeshme të të ardhurave të tyre përgjatë 2016-s. Xhiro e 5 klinikave kryesore rezulton të jetë rritur me rreth 80% me bazë vjetore.
Rritja e fortë e të ardhurave te privati
Të dhënat zyrtare nga bilancet e kompanive tregojnë për një rritje dyshifrore të të ardhurave që kanë qarkulluar klinikat që kanë në fokus të aktivitetit kirurgjinë estetike.
Klinika KEIT është më e madhja e këtij lloji në Shqipëri. Në vitin 2015 ajo deklaroi të ardhura prej 148 milionë lekësh (rreth 1.1 milionë euro), me një rritje prej 47% me bazë vjetore.
Rritje të fortë ka pësuar edhe DaVinci, me zgjerim të të ardhurave me 80%, duke arritur në 30.5 milionë lekë, në vitin e parë të plotë të aktivitetit të saj (Klinika është hapur në mars 2015).
Klinika tjetër DermoLife ka pasur rritje të të ardhurave nga aktiviteti me 75% në vitin 2016, në 15.2 milionë lekë.
Fitimi para taksave, nga ana tjetër, është një tregues i fortë se ky biznes po përjeton momentin e tij më të mirë të rritjes.
Keit raporton një rritje të fitimeve me 40%, në 42 milionë lekë, ndërsa norma e fitimit ishte gati 30%, më e lartë sesa në
pjesën më të madhe të sektorëe kryesorë të ekonomisë shqiptare.
Fitimi i klinikës DaVinci u katërfishua në vitin e parë të plotë të aktivitetit, në gati 5 milionë lekë, me një normë fitimi prej 16%.
Klinika të tjera, ndonëse me të ardhura të ulëta, deklarojnë norma të larta fitimi prej 44%, si psh Euromedica. Kirurgjia plastike po ofrohet dhe nga spitalet e mëdha, si ai Amerikan, por në bilancin e kompanisë nuk ka të detajuara se ç’pjesë të të ardhurave sjellin këto shërbime.
Google, në Shqipëri kërkohet më shumë për hundën se për zemrën
Motorët e kërkimit në Google janë të aftë të gjenerojnë të dhëna mbi atë çka qytetarët në secilin vend të botës kërkojnë më shumë. Në Shqipëri nëse klikon me fjalën “operacione” më poshtë të renditen edhe kërkimet më të shpeshta që janë bërë nga shqiptarët, që konkretisht janë operacionet e hundës, operacionet plastike, më pas operacionet plastike të hundës dhe së fundi operacionet e zemrës.
Kjo deri diku vërteton edhe faktin që operacionet e hundës janë edhe më popullorët që kryhen nga klinikat e kirurgjisë estetike. Ndërkohë që nëse në Google kërkon me të njëjtën fjalë në anglisht “operation” del që rezultatet të mos kenë asnjë lidhje me ato shqiptare. Konkretisht nga “operation” vijnë më poshtë “operacion buzëqeshja, operacion shëndeti, menaxher operacional (përkufizim për një profesionist në pozita menaxheriale me përvojë më shumë se 10-vjeçare). /Gazeta Shneta/