Më 16 qershor të vitit të kaluar, Andy Sandness u shtri në Klinikën Mayo në Minnesota për një operacion mjaft të rrallë.
Tri javë më vonë, ai nuk do t’i besonte shikimit në pasqyrë, kur e pa vetën me fytyrë të re: hundën, faqet, goja, buzët, nofulla, mjekra dhe madje edhe dhëmbët ishin të donatorit të tij, Calen Ross, shkruan BBC, transmeton Gazeta Shneta.
Në pamundësi për të folur në mënyrë të qartë, pasi pa fytyrën e re, ai bëri një shënim për mjekët dhe familjarët: Larg nga pritjet e mia.
Sandness e kishte fytyrën pothuajse tërësisht të shkatërruar pas një përpjekje për vetëvrasje në vitin 2006. Dhe e përbashkëta me donatorin e tij, është pikërisht kjo gjë.
Calen Ross, i cili jetonte në Minnesota, nuk ka mbijetuar kur qëlloi vetën në fillim të qershorit të vitit të kaluar, duke lënë pas gruan shtatzënë, Lily.
Ajo e përmbushi dëshirën e burrit të saj që organet e tij t’i dhurohen ndonjë personi. Megjithatë, ishte e shqetësuar për mundësinë që dikush tjetër ta marr fytyrën e tij.
“Nuk dua që një ditë ta shoh Calen duke ecur rrugëve”, tha ajo për Associated Press.
Ajo u pajtua që fytyra e burrit të saj të ndjerë t’i dhurohet Sandness, pasi u sigurua se ky i fundit do t’i ketë sytë dhe ballin e tij, në mënyrë që të mos duket identik me Calen.
Mjeku Samir Mardani, specialist i rindërtimit të fytyrës, kaloi më shumë se 50 të shtuna gjatë tri viteve të fundit duke praktikuar kirurgji dhe transplantimin e fytyrës në kokat e kufomave.
Mjekët kishin vlerësuar se do të duheshin vite të tëra për të gjetur një donator që përputhet me Sandness, por për fatin e tij, u deshën vetëm pesë muaj pasi u fut në listën e pritjes së donatorëve.
Procedura mjaft komplekse ka përfshirë identifikimin e degëve nervore në fytyrat e të dy burrave, duke përcaktuar funksionin e tyre edhe nëpërmjet të qeshurave apo në hapjen dhe mbylljen e syve.
Njeriu me fytyrë të re, 31-vjeçar, nuk e ka takuar bashkëshorten e donatorit të tij, por i ka shkruar një letër.
“Ai do të vazhdojë ta dojë gjuetinë, peshkimin dhe qentë – nëpërmjet meje”, shkroi ai. /Gazeta Shneta/