Një ditë pas ngjarjes tragjike në maternitetin e Kukësit ku humbën jetën nëna 39-vjeçare dhe foshnja e palindur, detaje të reja mësohen për gjendjen e saj dhe shkaqet e vdekjes. Gazetarja Matilda Tota duke iu referuar mjekëve të maternitetit raporton për “BalkanWeb” se pacientja me inicialet N.P., u paraqit në urgjencën e maternitetit Kukës, më datë 11.3. 2018 në gjendje të rëndë shëndetësore, me diagnozën fetus morti me laceracion dhe rupturë të shprehur të uterusit.
Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ka vijuar gjendja e rëndë e pacientes të cilës gjatë kësaj kohe i është dhënë 5 njësi gjak dhe 3 njësi plazëm por ka qenë pa puls periferik gjatë gjithë kohës.
Nga ana tjetër policia deklaron se është njoftuar sot në orën 08:30, nga Spitali Rajonal Kukës, se në orët e para të mëngjesit, në maternitetin e Kukësit, gjatë lindjes ka gjetur vdekjen shtetasja N.P., banuese në Kukës, së bashku me foshnjën.
Trupi i pajetë i nënës dhe foshnjës, ndodhen në morgun e spitalit të Kukësit, ndërsa familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes. 39-vjeçarja ishte nënë e 6 fëmijëve.
E rëndë në Kukës/ Nëna dhe foshnja vdesin në maternitet, dalin detajet e para
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate në maternitetin e Kukësit. Një nënë 40-vjeçare dhe foshnja e saj kanë ndërruar jetë.
Policia e Kukësit nuk ka dalë edhe me një njoftim zyrtar, por e kontaktuar nga “BalkanWeb”pas interesimit të familjarëve, deklarohet se vdekjet kanë ardhur për shkaqe natyrale.
Familjarët kanë dyshime për ç’ka ka ndodhur dhe presin me padurim kryerjen e ekspertizës mjeko ligjore. Ata nuk kanë tërhequr ende trupin e Nurije Poçit nga morgu i spitalit.
Sakaq, policia sqaron se gruaja sillte në jetë fëmijën e saj të shtatë, një foshnjë e seksit mashkull që ka lindur i vdekur. Pas kësaj ka ndërruar jetë edhe nëna. Familjarët thonë se ngjarja është e dyshimtë, ndaj edhe kërkojnë hetime të mëtejshme për rastin.
Sipas tyre, nëna nga Kukësi ka lënë jetim 6 fëmijë të tjerë. / Gazeta Shneta