Në Konferencën e 4-të të Shoqatës së Biokimistëve Klinik të Kosovës, është thënë se nga të dhënat e QKUK-së, kosovarët në masë të madhe kanë mungesë të vitaminës D
Mbi 20 profesionistë të biokimisë janë mbledhur sot në konferencën e 4-të ku po ligjërojnë me tema të ndryshme në këtë lëmi, shkruan Gazeta Shneta.
Në njërin nga panelet e ligjërimit, u tha se kosovarët në masë të madhe kanë mungesë të vitaminës D, e cila shkakton edhe disa sëmundje të lëkurës.
Në studim janë marr 100 individë 18-60 vjeç të të dy gjinive dhe në bazë të dhënave që janë fituar, 66 persona në studim janë në mungesë të vitaminës D, dhe të tjerët kishin pamjaftueshëm.
Mostrat e gjakut janë marr nga personat që janë paraqitur në QKUK dhe jo të gjithë kanë qenë të prekur nga ndonjë sëmundje e lëkurës.
Rezultatet janë se nga numri i të ekzaminuarve me sëmundje dhe me mungesë të vitaminës D, është më i lartë sesa të atyre që janë të shëndosh dhe që kanë mjaftueshëm vitamina.
Përqindja e individëve të cilët kanë deficit të vitaminës D, është më e lartë te gjinia femërore sesa te meshkujt.
Hapjen e konferencës e ka bërë kryetari i Bordit të SHSKUK-së dhe kryetari i Shoqatës së Biokimistëve Klinik, Shemsi Veseli.
“Biokimia klinike si shkencë është duke dhënë kontribut në avancimin e shëndetësisë dhe shërbimeve më të mira ndaj pacientit”, konsideroi Veseli.
Ai ka shtuar se rekomandimet që do të dalin nga kjo konferencë do të futen në përdorim në laboratorët vendore.
Zv.ministri i Shëndetësisë, Rrustem Musa, ka uruar fillimin e konferencës duke konsideruar se do të ndihmojë profesionistëve shëndetësor për t’u avancuar.
Konferencën e ka përshëndetur edhe drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, emri i të cilit u ngatërrua disa herë nga prezantuesja.
“Emrin e kam të shkurt me tri shkronja, por nuk jam edhe aq i vogël”, u shpreh Gjocaj, ku më pas uroi profesionistët për rezultatet e konferencës. /Gazeta Shneta/