Ditëve të para të ciklit,siç dihet, ka më shumë rrjedhje gjaku, dhimbje, bezdisje, ndërsa me kalimin e ditëve, gjaku fillon të ndryshojë. Shfaqet kur nuk duhet, ikën kur duhet dhe në raste më të rralla, nuk duket fare si gjak.
Por, një gjë është e sigurt: është krejtësisht normale që ngjyra e gjakut të mos jetë e kuqe. Për shembull, nëse vëreni gjak në ngjyrë të errët, nuk duhet të alarmoheni.
Përse gjaku duket i errët?
Gjaku i errët i menstruacioneve nuk është shenjë e shtatzënisë. Ai shfaqet zakonisht në fund të ciklit si pasojë e grumbullimit të gjakut për një kohë të gjatë në trup.
Menstruacionet janë një mënyrë e trupit për të pastruar veshjen e brendshme të mitrës. Në fillim të ciklit gjaku është i kuq i shndritshëm sepse është i freskët dhe ka gjakderdhje gjatë gjithë kohës.
Pasi përfundon ky proces i pastrimit të veshjes së brendshme të mitrës, fillon të pakësohet gjakderdhja. Kështu gjaku ka më shumë kohë që të oksidohet dhe merr një ngjyrë si kafe ose të errët. Është normale që gjaku dy ditët e fundit të ciklit të duket i errët.
Por, nëse menstruacionet tuaja duken të zeza që në ditët e para, duhet të flisni me mjekun për t’u siguruar që nuk keni ndonjë problem shëndetësor (si polipet).
Por nëse duken si ngjyrë gri?
Normalisht nuk bëhet dallimi mes ngjyrës gri dhe të zezë, megjithatë, kur bëhet fjalë për vaginën, ndryshimi ka rëndësi.
Shkaku më i zakonshëm i shfaqjes së sekrecioneve vaginale në ngjyrë gri është infeksioni. Prandaj, nëse vëreni sekrecione ose gjak në ngjyrë gri, duhet të lini me takimin e mjekut.
Një infeksion i lidhur me sekrecionet gri është vaginoza bakteriale, që vjen edhe me simptoma të tjera, si kruajtje dhe një erë të rëndë si peshk. Një tjetër infeksion i zakonshëm është trikonomiazia, që shkakton sekrecione në ngjyrë gri në të verdhë ose me një hije jeshile, si dhe dhimbje dhe ënjtje në pjesën e vaginës./Shëndeti.com.al/