Stafi i Klinikës së Sëmundjeve të Mushkërive në QKUK për çdo ditë përballet me vështirësi për dërgimin e pacientëve në klinikat tjera për konsulta. Krejt kjo për shkak të një gabimi që është bërë gjatë investimit në lift
Motra Nafije Gashi dhe koleget e saj në Klinikën e Sëmundjeve të Mushkërive në QKUK, për çdo ditë dërgojnë pacientë për konsulta në klinikat tjera. E rruga që duhet kaluar për të dalë pacienti nga klinika, nuk është fare e lehtë.
Me anë të një donacioni në vitin 2011, Ministria e Shëndetësisë kishte investuar në ndërtimin e liftit për këtë klinikë. Por dalja për pacientë nuk ishte menduar mirë. Pjesa ku do të duhej të kalonin pacientët me shtretër, është ndërtuar në atë mënyrë që është e pakalueshme. Ky gabim po iu kushton më së shumti motrave medicinale në Pulmologji, shkruan Gazeta Shneta.
Tani ato detyrohen t’i dërgojnë pacientët me lift në bodrumin e klinikës dhe më pastaj të dilet jashtë. Por kur dalin jashtë, motrat duhet ta vënë në funksion gjithë fuqinë që e kanë për ta ngjitur pacientin deri lart.
Nga dalja e bodrumit të klinikës motrat duhet t’i ngjisin përpjetë pacientët e shtrirë në shtretër apo ulur në karroca, për t’i hipur në ambulancë e cila më pastaj i dërgon në klinikat përkatëse.
“Më së shumti kemi vështirësi kur bie borë dhe bëhet akull dhe kur pacientët janë me peshë të rëndë. Është edhe më e vështirë kur i kthejmë pacientët sepse frikësohemi mos po rrëshqasim”, thotë Nafija, kryeinfermiere në këtë klinikë.
Ajo tregon se këtë rrugë e përshkojnë që nga viti 2011 dhe tani kërkojnë nga drejtoria që të bëhet përmirësimi.
“Nëse do të bëhej përmirësimi do të ishte lehtësim i madh për pacientët dhe për neve gjithashtu”, shprehet ajo, e cila shton se shpesh herë duhet të mblidhen 4-5 vetë për t’i bartu pacientët.
“Me karrocë është më lehtë, por është shumë më e vështirë kur duhet t’i bartim me shtretër. Nganjëherë kërkojmë edhe ndihmën e familjarëve”, ka deklaruar Gashi.
Drejtori i Shërbimeve Teknike në QKUK, Mehdi Krasniqi, thotë lifti është ndërtuar rreth vitit 2011 në këtë klinikë, ndërsa nuk janë në dijeni për gabimin që është bërë.
“Duhet të bëhet një kërkesë nga Klinika në drejtori dhe mund të përmirësohet pas rishikimit të buxhetit në qershor”, ka deklaruar Krasniqi.
E derisa të bëhet ky përmirësim, motrat medicinale duhet të qëndrojnë të forta gjatë kalimit të kësaj përpjete. /Gazeta Shneta/