Klinika e Neonatologjisë në QKUK është furnizuar me medikamentin ‘Surfaktant’, i cili është donacion nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe organizatës AmeriCares.
“Më shumë se 200 shishe të medikamentit. Kjo sasi njëkohësisht mbulon nevojën vjetore të furnzimit me këtë medikament jetëshpëtues”, thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Shneta.
Mungesa e surfaktantit – shtresës së lëngshme brenda mushkërive, shkakton probleme të frymëmarrjes tek foshnjat.
“Bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin surfaktantit deri disa javë pas lindjes. Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe foshnjat e parakohshme nuk mund të marrin frymë. Andaj, Surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e RDS (Sindromit të Distresit Respirator) dhe redukton shkallën e vdekshmërisë të shkaktuar nga RDS. Gjatë 10 viteve të fundit, donacionet e Surfaktantit kanë shpëtuar jetën e 1,800 foshnjave të lindura parakohe dhe me peshë të ulët në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.
Ardhja e këtij medikamenti jetë-shpëtues në Kosovë është bërë e mundur nga ngjarjet bamirëse të mbajtura në vitin 2017 si ‘Let’s Dance ’ në Prishtinë, ngjarja ‘Meet Us Halfway’ në New York, SHBA dhe ‘ Darka e Diasporës’ në Zvicër. /Gazeta Shneta/