Një nënë që shkoi për të lindur fëmijën në repartin e maternitetit në Spitalin e Vushtrrisë, iu rrezikua jeta nga personeli mjekësor. Ajo u dërgua me urgjencë në Gjinekologji të QKUK-së ku u pranua me mitër të çarë dhe gjakderdhje të madhe, pa puls dhe pa tension. Ekipi i mjekëve në krye me Dr. Fehmi Zeqirin arritën t’ia shpëtojnë jetën pas intervenimit disa orësh gjatë natës
Nëna nga Vushtrria A.M. (40) nuk arriti ta gëzojë fëmijën e katërt të saj javën e shkuar. Më datën 27 qershor ajo shkoi në repartin e maternitetit në Spitalin e Vushtrrisë rreth orës 23:00, pasi i ishin lajmëruar dhimbjet e para të lindjes. Ajo ishte ngjitur me këmbët e veta në katin e dytë, derisa burri i saj kishte parkuar veturën. Por nuk do të arrinte të dilte po kaq lehtë nga spitali pas vetëm pak momentesh.
Një mjeke dhe dy mami e kishin pranuar në sallë dhe i kishin dhënë stimulues të lindjes. Pas gjysmë ore kishin filluar t’i shtoheshin dhimbjet dhe kishte filluar procesi i lindjes natyrale. Nëna thotë se nuk ka mundur të shtyjë beben për shkak të pafuqisë dhe rrëfen tutje se çfarë ndodhi në ato momente tragjike për jetën e frytit të saj, shkruan Gazeta Shneta.
“Ato (mamitë) janë munduar, por unë jam dorëzuar. Më kanë gjuajtur ujë, tani motra mi ka qit dy duart, filloi të ma mëshoj në bark, sërish mi ka qit dy duart dhe më ka ndrydh. Unë kam bërtit dhe kam than s’muj ma dhe e kanë thirr emergjencën. Nuk më kujtohet më asgjë”, ka deklaruar A.M.
Asaj nuk i kujtohet më asgjë pasi kishte rënë në gjendje shoku. Në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK ishte pranuar rreth orës 2 pas mesnatës me çarje të mitrës dhe gjakderdhje të madhe. Pasi i ishte bërë një ultrazë, mjekët kishin konstatuar se foshnja kishte vdekur në barkun e nënës. Mjeku kujdestar Zef Ndrejaj kishte kërkuar ndihmën e Dr. Fehmi Zeqirit. Poashtu ishte kërkuar asistencë edhe nga një urolog, një kirurg abdominal dhe një kirurg vaskular. Që të tre kishin konstatuar se nuk ka ndonjë problem nga fusha e tyre.
Por gjakderdhja nuk do të ndalej as pas disa orësh. Ekipi i gjinekologëve dhe anesteziologëve kanë intervenuar deri në orët e para të mëngjesit, kur kanë arritur që të ndalin gjakderdhjen dhe më pastaj e kanë kujdestaruar edhe për disa orë të tjera në sallën operative me dyshimet se gjakderdhja do të fillonte sërish. Nëna më pastaj ishte vendosur në intensivën qendrore dhe pas një dite ishte rikthyer në intensivën e Gjinekologjisë. Tani gjendja e saj është përmirësuar dukshëm.
Nëna e cila ka lindur tre fëmijë me lindje vaginale, thotë se të gjitha vizitat i kishte kryer në Spitalin e Vushtrrisë dhe përveç përdorimit të disa barnave, nuk kishte pasur asnjëherë asnjë problem. Ajo deklaron se personeli mjekësor nuk i kanë treguar asnjëherë peshën e bebes. Burri i saj, B.M. për Gazeta Shneta ka deklaruar se ka disa dyshime në lidhje me trajtimin që i është bërë në Vushtrri. Ai ka thënë se për këto dyshime do të bëjë edhe ankesë, si dhe do të shikoj mundësinë e padisë gjyqësore ndaj tyre. Ndërsa që të dy falënderojnë Dr. Fehmi Zeqirin dhe stafin e klinikës së Gjinekologjisë për kujdesin ndaj tyre.
Rastin e ka konfirmuar edhe drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, Dr. Myrvete Paçarada. Ajo ka deklaruar se falë intervenimit të ekipit mjekësor, kanë arritur t’ia shpëtojnë jetën pacientes. “Pacientja është pranuar në klinikë pa puls dhe pa tension. Ka pasur gjakderdhje të madhe në të gjitha anët. Megjithatë falë ekipit të mjekëve dhe personelit është arritur t’i ndalet gjakderdhja dhe t’i shpëtohet jeta. Ky ka qenë njëri nga rastet më të rënda që është trajtuar me sukses në Klinikën tonë”, ka deklaruar Paçarada.
Gazeta ka kontaktuar edhe u.d. të Drejtorit të Spitalit të Vushtrrisë, Hajrullah Saraqi, por ai ka deklaruar se nuk është i informuar për rastin dhe se për këtë do të kërkojë detaje. Ndërkaq drejtori i repartit të maternitetit, Dr. Agim Zahiti, nuk ka pranuar të flas përmes telefonit. /Gazeta Shneta/