“Ata mësohen të mos u kërkohet asgjë dhe të mund të kërkojnë çdo gjë nga të tjerët. Ndërsa shoqëria perëndimore është shoqëri e bazuar në merita dhe në rezultate…”
Zana Ramadani , shqiptarja nga Shkupi, e bërë e njohur disa vite më parë si bashkëthemeluese dhe aktiviste e organizatës feministë “Femen” në Gjermani, është bërë shumë e kërkuar nga mediat në gjuhën gjermane sidomos prej muajit të kaluar.
Kjo i atribuohet librit të saj të botuar në muajin mars me titullin “Die verschleierte Gefahr” (Rreziku i mbuluar ose rreziku nën shami). Titulli i librit për botimin e të cilit ka shkruar edhe albinfo.ch vazhdon në variantin e tij të zgjatur “fuqia e nënave myslimane dhe dëliri i tolerancës i gjermanëve”. Ky libër tashmë është në listën e bestsellerëve (librave më të shitur) të Der Spiegel-it.
Në një intervistë të zgjeruar dhënë gazetës “SonntagsZeitung”, Zana Ramadani i bën një shkoqitje tezës kryesore të librit, asaj se “nënat myslimane janë fajtore për llastimin e djemve të tyre”. Kësaj here ajo e eksplikon edhe më shumë këtë qëndrim duke thënë troç: “duke i llastuar djemtë e tyre, duke i trajtuar si princër të vegjël, nënat myslimane i bëjnë ata të paaftë, dështakë, (“lluzera”, siç do të thuhej në zhargonin e Kosovës).
Ata mësohen të mos u kërkohet asgjë dhe të mund të kërkojnë çdo gjë nga të tjerët. Ndërsa shoqëria perëndimore është shoqëri e bazuar në merita dhe në rezultate, përcjell albinfo.ch shkrimn e gazetës “SonntagsZeitung”. Për këtë arsye për ta janë të gjithë fajtorë: perëndimorët nga perspektiva e tyre janë racistë ndaj myslimanëve, mësueset dhe të gjithë të tjerët kanë faj.
E pyetur nëse ka kërcënime dhe a frikësohet prej tyre, Zana Ramadani pohon se merr shumë kërcënime: “Ata më quajnë lavire, më kërcënojnë me dhunim, me vrasje etj., ndërsa qëkur jam shtatzënë, edhe me nxjerrje të fëmijës nga trupi”. Dhe, natyrisht se ka frikë, e pranon ajo, por nuk e lejon frikën që ta bkllokojë.
Në intervistë ajo flet edhe për tolerimin që shoqëritë perëndimore, konkretisht ajo gjermane, sipas saj i ka bërë islamit politik në emër të lirisë së shprehjes. Sipas saj, shoqatat islame në Gjermani e gjetiu janë në fakt shoqata islamiste, duke nënkuptuar këtu islamin radiukal.
Zana Ramadani ka ardhur në Gjermani nga Maqedonia në moshën 7 vjeçare. Siç tregon ajo në intervistën e fundit, “ka pasur fat” që babai i saj ka qenë i shkolluar dhe ka synuar që fëmijëve t`ua sjellë një kulturë perëndimore. Ai është përpjekur të shkëputet nga shoqëria e shqiptarëve gjegjësisht myslimanëve, duke nxitur fëmijët të hapen më tepër ndaj shoqërisë gjermane.
Ndërsa krejt e kundërt ka qenë nëna e Zanës, transmeton albinfo.ch. Ajo, sipas të intervistuarës, ka mbetur peng i edukimit patriarkal dhe islamik. Me orë të tëra ka qëndruar duke komunikuar me telefon me familjarët në vendlindje ndërkohë që e ka humbur shansin për t`u integruar në shoqërinë gjermane.