Pacientët në Kosovë përballen me trajtim të padinjitetshëm, kushte higjienike e ushqim të dobët dhe mungesë të komunikimit me mjekët, konsideron shoqata PRAK
Bujar Vitija
“Çdo qytetar ka të drejtën e dhënies së pëlqimit për vendimet që kanë të bëjnë me shëndetin e tij (familjari ose kujdestari i tij në qoftë se gjendja e tij nuk e lejon); ky informacion është një parakusht për çdo procedurë dhe trajtim, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në kërkime shkencore”, thuhet në pikën 4 të Kartës për të Drejtat e Pacientëve.
Me këtë Kartë sot Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, e cila është anëtare e rrjetit evropian, kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Pacientëve, shkruan Gazeta Shneta.
Besim Kodra nga kjo shoqatë, thotë se pacientët në përgjithësi në Kosovë përballen me vështirësi të shumta nga institucionet të cilat sipas tij, e kanë denigruar pacientin si njeri dhe qytetar.
“Shëndetësia moderne është e ndërtuar me pacientët në qendër dhe jo siç ndodhë në Kosovë ku mjeku jep dhe pacienti merr. Pacienti duhet të vendos për atë çfarë merr”.
“Ata ballafaqohen me mungesë barnash, shërbime jocilësore, sjellje të stafit jo të arsyeshme dhe kushte higjienike jo të mira”, konsideron Kodra.
Ai deklaron se Qeveria nuk e ka as në hartë shëndetësinë si prioritet. Këtë konstatim e nxjerrë nga shifrat buxhetore që ndahen për shëndetësinë.
“Buxheti në shëndetësi është shumë i vogël në krahasim me nevojat. Në Kosovë ndahen 130 euro për kokë banori në shëndetësi, ndërsa në Maqedoni është mbi 600 euro. Ne nuk mund të krahasohemi as me vendet e rajonit dhe kjo është arsyeja pse kosovarët gjejnë shërim atje”, ka thënë Kodra.
Ai shpërfaq edhe mungesën e komunikimit mjek-pacientë dhe ushqimin me cilësi të dobët, gjë që e bëjnë trajtimin e padinjitetshëm të pacientit nëpër institucione.
Kodra vlerëson se duhet të rritet buxheti dhe llogaridhënia.
“Shohim çdo ditë skandale nëpër institucione me pacientë dhe nuk ndëshkohet askush. Kjo i motivon personat e pandërgjegjshëm që të bëjnë veprime të pandërgjegjshme”, ka thënë ai.
PRAK ka bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe SHSKUK-në. Shoqata ka dy zyre, një në QKUK dhe një në spitalin e Prizrenit.
Që nga hapja e këtyre zyrave ata kanë pranuar mbi 500 ankesa të cilat janë drejtuar në institucionet përkatëse. /Gazeta Shneta/