Kirurgët pediatrik kanë nderuar dy profesorët e tyre Hysen Heta dhe Sadik Llullakun në hapjen e Simpoziumit të parë Mbarëshqiptarë të Kirurgjisë Pediatrike i cili po mbahet sot në Prishtinë. Në këtë ngjarje po marrin pjesë kirurgë pediatrik shqiptarë nga Kosova, rajoni dhe vendet evropiane
Në kryeqytetin e Kosovës janë mbledhur sot kirurgë pediatrik nga Kosova, rajoni dhe vendet evropiane si Austria, Gjermania e Zvicra. Ata do të prezantojnë sot punime të tyre, por para se ta bënin këtë kirurgët kanë nderuar dy nga profesorët nga të cilët kanë marr dije, shkruan Gazeta Shneta.
Dr. Hysni Jashari, Kryetar i Shoqatës së Kirurgëve të Fëmijëve, iu ka atribuuar merita të mëdha dy profesorëve të kirurgjisë së fëmijëve, Prof. Dr. Hysen Heta dhe Dr. Sci. Sadik Llullaku. “Profesorët tanë para më shumë se 40 viteve kanë filluar karrierën e tyre. Ata nuk e kanë ndryshuar kurrë përkushtimin e tyre për pacientin dhe kirurgët e rinj”, ka deklaruar Jashari.
Kjo shoqatë ka nderuar me mirënjohje dy profesorët për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në edukimin e kirurgëve pediatrik dhe zhvillimin e kirurgjisë pediatrike në trojet shqiptare.
Profesor Heta ka folur për vështirësitë që kanë pasur në të kaluarën për ushtrimin e profesionit të tyre. “Në sajë të bashkëpunimit kemi kaluar vështirësitë dhe kemi marr përvojat profesionale. Ka shumë specialistë tuaj që na kanë ndihmuar dhe tani s’kemi çka të ofrojmë më. Ky është një sukses dhe prandaj ndjejmë kënaqësi”, ka thënë Heta.
Ndërkaq profesor Llullaku ka falënderuar studentët e tij për vlerësimin. “Nëse ne kemi qit ndonjë farë, atëherë ju lutem që të mundoheni që ajo të mbie e shëndetshme, nëse kemi mbjell ndonjë fidan ju lutem që ta rrisni më tepër. Klinika e re po ndërtohet dhe ju lutem ta jetësoni atë që të realizohet vizioni që e kemi pas kaherë”, është shprehur Llullaku.
Ky simpozium është organizuar nga Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK me në krye drejtorin Dr. Murat Berisha, si dhe është përkrahur nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe SHSKUK. Këtë ngjarje e kanë përshëndetur edhe krerët e institucioneve. Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka inkurajuar mjekët që të organizojnë këso ngjarje dhe të thellojnë bashkëpunimin.
“Ju inkurajoj që të bashkëpunoni edhe më tepër dhe për këtë do ta keni përkrahjen tonë duke plotësuar nevojat e juaja për pajisje dhe aparatura”, ka deklaruar Ismaili.
Drejtori i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, ka theksuar se krahas punës profesionale ngritja dhe shkëmbimi i përvojave është e rëndësishme. “Ne po punojmë që të reformojmë sistemin shëndetësor ku bën pjesë edhe kirurgjia pediatrike. Është fat i madh që është në përfundim spitali i kirurgjisë pediatrike dhe krahas kësaj do të ketë trajtim të stafit”, ka thënë Sejdiu.
Ndërsa kryetari i Odës së Mjekëve Dr. Pleurat Sejdiu, ka bërë të ditur se përveç përkrahjes financiare për këtë ngjarje, do të përkrahen edhe 10 konferenca të tjera këtë vit.
“Kemi filluar me një rrugë të mbarë, kjo është konferenca e tretë këtë vit që OMK e ka financuar dhe në plan janë edhe 10 tjera ku përfshihet edhe konferenca kombëtare në tetor me rreth 2500 pjesëmarrës”, ka thënë Sejdiu.
“Filozofia jonë duhet të fokusohet në kualitet të këtyre simpoziumeve dhe bëj thirrje që të shfrytëzohet fryma e reformave që po e ofron niveli politik. Nuk duhet të dështojmë në implementimin e këtyre reformave”, ka shtuar ai.
Profesori shqiptar i pediatrisë në Graz të Austrisë, Emir Haxhija, është shprehur krenar me pjesëmarrjen e tij në këtë simpozium.
“Të gjitha themelet e ardhmërisë së Kosovës janë duke u vendosur. Vizioni është fantastik dhe besoj se do të përmbushet si duhet me këto impute që i bëjmë ne të gjithë. Këto simpoziume duhet të vazhdojnë në të ardhmen për të qenë udhërrëfyese që shërbimi ndaj fëmijëve të jetë sa më i mirë”, ka thënë Haxhija. /Gazeta Shneta/