Një tavolinë e cila shërben për ngrohjen e foshnjave, është djegur nga zjarri gjatë ditës së djeshme. Zyrtarët thonë se për fat të mirë, në ato momente nuk ka pasur foshnje në atë hapësirë
Një incident me zjarr ka ndodhur dje në një dhomë e cila përdoret nga Klinika e Neonatologjisë dhe ajo e Gjinekologjisë në QKUK. Fatmirësisht, në atë dhomë nuk kishte foshnje as nëna, shkruan Gazeta Shneta.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Dr. Xhevdet Gojnovci, ka treguar për Gazeta Shneta se kjo pajisje e cila quhet Infra-tavolinë shërben për ngrohjen e foshnjave të nënave që kanë dalë nga operacioni.
“Nënat post-operative nuk mund të kujdesen për foshnjat. Infermieret i marrin ato dhe i vendosin në këtë tavolinë për t’i ngrohur, sepse bebet duhet të kenë temperaturë konstante 37 gradë përndryshe mund të pësojnë hipotermi”, tregon Gojnovci.
Ai shton se në momentin kur ka rënë zjarri, nuk ka pasur foshnja të vendosura në të.
“Gjatë momentit të këtij incidenti nuk ka pasë asnjë foshnje në atë hapësirë. Është lajmëruar sigurimi dhe është fikur zjarri. Poashtu rryma është ndërprerë për disa minuta”, ka deklaruar ai.
Gojnovci thotë se pajisja ka qenë e vjetër mbi 17 vjet. Vjetërsia e pajisjeve është një nga problemet që përballet shëndetësia kosovare. Ai edhe më parë ka tërhequr vërejtjen edhe për pajisje tjera në këtë klinikë ku trajtohen bebet e lindura para kohe.
Dr. Gojnovci ka thënë se tani janë duke punuar për ta bërë gati sërish dhomën dhe do të vendoset një tjetër infra-tavolinë e cila do të merret nga reparti i kujdesit intensiv të Neonatologjisë.
“Sigurisht se këtë do ta bëjmë pasi ta vërtetojmë arsyen pse ka ardhë deri te zjarri në mënyrë që të mos përsëritet më”, ka deklaruar Gojnovci. /Gazeta Shneta/