Me rritjen e temperaturave në vend, kanë filluar të rriten edhe raste që kanë kërkuar ndihmë për tu trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Kliniken Emergjente.
Doktori i Klinikës Emergjente në QKUK Avdush Bajgora në një prononcim për Gazetën Monitor ka deklaruar se është shtuar dukshëm numri i pacientëve që kërkojnë ndihëm në këtë klinik.
Ai ka sqaruar se më të atakuarit janë të moshuarit me sëmundje të sistemit kardiovaskular dhe fëmijët.
“Është shtuar numrit i pacientëve që kërkojnë trajtim në Emergjencë. Zakonisht të atakuar kanë qenë të moshuarit me sëmundje të sistemit kardiovaskular, respirator dhe sëmundjeve të veshkave , mirëpo ka pas edhe raste kur fëmijët janë jashtëzakonisht të prekur nga temperaturat e larta”, ka thënë Bajgora.
Më tej doktori Bajgora ka sugjeruar të gjithë personat që janë më të rrezikuar nga të nxehtit që të kenë kujdes nga ajo se ku qëndrojnë , dhe ka treguar se në cilën periudhë të ditës duhet të shmangin daljet në rrugë.
“Ajo çka sugjerojmë është që këta persona nga ora 10 deri në ora 17 pasdite t’i shmangen temperaturave të larta, të rrinë nën hije dhe në ambiente ku janë të freskëta dhe të mos kenë kontakte me diellin, sepse kjo mund të shkaktoj goditjen nga dielli e cila është situatë e rënd”. Ka theksuar Bajgora.
Doktor Bajgora po ashtu ka këshilluar të gjithë qytetarët që të kenë kujdes me ushqimet që konsumojnë duke thënë që ato të jenë më të lehta e të mos jenë të ngarkuara me yndyra, e po ashtu të konsumojnë sa më shumë lëngje./Gazeta Monitor/