Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ndodhur një rasti i rrallë. Pacientit M.B (1960) nga Mitrovica i është kthyer të folurit pas një viti. Kjo ka ndodhur pas anestezionit që i është nënshtruar për një operacioni urologjik.
Pacienti në fjalë, në muajin Maj të vitit 2016, kishte pësuar një sulm neurologjik, i njohur ICV ischaemica I.63 si dhe diabete mellitus typ- 2 E.11, ku nga ky sulm kishte humbur të folurit.
Dr. Islam Krasniqi, UD. Drejtor i Klinikës së Anestezionit, tha se në QKUK ka ndodhur një rast i rrallë, ku një pacienti pas anestezionit i është kthyer të folurit.
“Ky është rast i rrallë, një mrekulli, kjo na ndodhur më parë tek ne, rasti do studim shkencor”, tha Krasniqi për Gazeta NewBorn.
Dr.Nebije Sadrija, anesteziologe në Klinikën e Urologjisë, shprehet se pacienti i kontrolluar para se të futej në sallë për një problem urologjik nuk ishe në gjendje të fliste dhe nevojitet që dikush nga familjarë t’i asistonte.
”Gjatë vizitës prej anesteziologës e kuptova se pacienti e ka humbur të folurit para një viti. Pacienti përgjigjej vetëm me mimikë, ndërsa të dhënat për të i mora nga bashkëshortja e pacientit. Tek të tilla raste ekziston rreziku i përseritjes së sulmit në tru gjatë anestezioni. Jemi kujdesur për stabilitetin kardio vaskular. Operacioni është kryer me anestezion të përgjithshëm duke ruajtur stabilitetin e gjendjes së pacientit”, thotë anestezologia.
“Ka qenë një rast që në çdo moment mund të komplikohej, para se ta fusnim në sallë ai nuk fliste, ne pas operacionit e zgjuam dhe nuk vërejtëm gjë, por pasi e vizitova në repart pas 30 minutave u befasova se ai fliste me mua”, shprehet tutje Dr. Sadrija për Gazeta NewBorn.
Në anën tjetër Dr.Sabit Mehmeti, urolog, thotë për Gazeta NewBorn, se pacienti kishte problem urologjik që në popull njihen si gurët në veshkë. Në ekipin urologëve, ishin edhe dr. Isa Haxhiu dhe specializantë, po ashtu ekipi përcjellëse e stafit të mesëm.
Duke shpjeguar këtë rast, neurologët shpjegojnë se truri ka aftësi neuroplastike të formojë sinapsa të reja. Pacienti po vazhdon qëndrimin në Klinikën e Urologjisë.
Rreth rastit kanë folur edhe familjarët, të cilët nga emocionet e mira kanë falënderuar mjekët dhe gjithë stafin të cilët janë marr me rastin në fjalë.
”Jemi të emocionuar, nuk kemi fjalë ta shprehim gëzimin që kemi pasur atë ditë dhe atë që kemi edhe sot. I falënderojmë shumë edhe njëherë gjithë stafin dhe gjithë mjekët për punën e jashtëzakonshme dhe të palodhshme që kanë bërë prej kur ne jemi ardhur këtu”, shprehen familjarët e pacientit për Gazeta NewBorn.
Familjarët falënderojnë edhe neurologun Enis Isrefin nga Mitrovica, i cili kishte trajtuar i pari rastin në spitalin lokal të Mitrovicës, vitin e kaluar.