Në klinikën e Nefrologjisë në QKUK, janë rreth 223 pacientë me program kronik që marrin dializën tri herë në javë.
Drejtoresha e kësaj Klinike, Dr. Venera Hasangjekaj, thotë se shërbimet janë në nivel përkundër mungesës së hapësirës dhe infermierëve.
“Ne ofrojmë shërbimin 24 orë dhe kur dikush ka nevojë për dializë ne kryejmë shërbimin edhe gjatë natës. Kjo mund të ndodhë kur kemi ndonjë pacientë nga aksidentet që pësojnë në veshka. Mirëpo kemi mungesë të stafit sepse është vetëm një infermiere që kujdestaron 24 orë e që e kryen punën për 2 veta”, ka deklaruar Hasangjekaj.
Doktoresha shpreson që menaxhmenti dhe ministri ta mbajnë fjalën për shtimin e numrit të infermierëve.
Ajo thotë se kohë pas kohe kanë mungesë të materialeve dhe barnave, por megjithatë furnizimi nuk mungon për shkak të pacientëve që varen nga dializa.
Hasangjekaj tregon se shërbimet e dializës kryhen me 41 aparate dhe pasi punojmë në tri turne, atëherë sipas standardeve duhet të jetë nga një aparat rezervë për secilin turn.
“Ne kemi të njëjtin numër të aparateve, të njëjtin numër të infermierëve, por na shtohen 155 dializa në muaj dhe e vetmja mënyrë ka qenë ndërrimi i tretë për t’i plotësuar kërkesat e pacientëve. Jeta në dializë është shumë specifike pasi janë shumë gjëra të kufizuara”, ka shtuar drejtoresha e Klinikës.
Hasangjekaj tregon se në Nefrologji është shtuar numri i pacientëve që vijnë nga diaspora.
“Mërgimtarët gjithmonë kanë ardhur tek ne, por në 2 vitet e fundit numri i tyre është rritur ndjeshëm”.
“Tashmë i kemi futur në programin tonë dhe në muajin gusht kanë qenë 150 veta”, ka treguar Hasangjekaj.
Doktoresha kërkon që klinika të zgjerohet më shumë pasi kanë mungesë të hapësirave, ndërsa shpreson që së shpejti të kryhet edhe biopsia në QKUK e që pacientët të mos detyrohen të shkojnë në vendet e rajonit për të marrë diagnozën hispopatologjike. /Gazeta Shneta/