Kosovarët po rrezikohen nga sëmundjet e veshkave. Numri i pacientëve të cilët po preken nga sëmundjet e veshkave dhe po i futen dializës po del të jetë mjaft i madh.
Për dy muajt e parë të këtij viti pranë klinikës së Nefrologjisë së QKUK-së janë rreth 232 pacientë të cilët po i kryejnë shërbimet e dializës. Kështu ka thënë në një intervistë për Express, ushtruesja e detyrës së drejtorit në Nefrologji, Venera Hasangjekaj.
“Për momentin për program të rregullt për hemodializë i kemi 232 pacientë që janë duke i kryer seancat. Janë dy qendra të hemodializës, ajo pranë SHSKUK-së dhe ajo në Kodrën e Trimave”, ka thënë Hasangjekaj.
Doktoresha i sheh si shqetësuese shifrat me rastet e pacientëve të cilët po preken nga sëmundjet e veshkave. “Numri i kosovarëve që po preken nga sëmundjet e veshkave është çdo vit e më shumë në rritje. Shqetësues është edhe fakti që këta pacientë shpeshherë diagnostikohen në stazhet përfundimtare ku përveç seancave me hemodializë atyre nuk mund t’u ndihmohet më tepër.
Mungon edhe vetëdijesimi për paraqitjen me kohë të pacientëve që kanë probleme me veshkat. Të gjithë faktorët e rrezikut që çojnë te sëmundjet e veshkave janë në rritje”, tregon doktoresha.
Transplantimi i veshkave bëhet vetëm jashtë Kosovës
Ndërkohë që nëse njeri nga këta 232 pacientë që janë në dializë ka nevojë për transplantim të veshkave, ata këtë shërbim nuk do të mundë ta kryejnë në Kosovë. E gjithë kjo në mungesë të ligjit për transplantimin e veshkave, ngaqë Ministria e Shëndetësisë e ka tërhequr ligjin për transplantim organesh nga Komisioni dhe nga Kuvendi i Kosovës, në fazën kur është dashur të kalojë në leximin e dytë.
Ishte Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, i cili kishte kërkuar që ky ligj të tërhiqet nga procedura. EULEX, atë kohë bënte hetime në lidhje me rastin e njohur si “Medicus”, i dyshuar për transplantime ilegal të organeve, pasi në Kosovë ishin kryer transplantet e organeve, por të cilat janë cilësuar të kundërligjshme.
Vetëm për dy muajt e parë të këtij viti mjekët e klinikës së Nefrologjisë së QKUK-së kanë dhënë rekomandime për 18 pacientë që të njëjtit të mund t’i kryejnë transplantimet e veshkave dhe biopsitë jashtë Kosovës, transmeton Gazeta Express
Pacientët në pritje të donatorëve
Përveç sfidës për transplantim të veshkave jashtë Kosovës, pacientët tanë vetë duhet ta gjejnë edhe donatorin për këtë punë. Kjo ngase Ministria e Shëndetësisë e as spitalet publike e private në vend nuk ua mundësojnë pacientëve transplantimin.
“Pasi që transplantimi i veshkave nuk kryhet në Kosovë, atëherë secili person që ka mundësi e gjen donatorë mund ta transplantojë veshkën jashtë Kosovës. Ne ua japim referimet secilit person që i plotëson kushtet për transplantim”, sqaron drejtoresha e Nefrologjisë.
Sipas saj për dy muajt e parë të 2018-s janë 18 pacientë që janë referuar për transplantim të veshkave e biopsi jashtë Kosovës.
“Ne gjatë muajve janar dhe shkurt të këtij viti për biopsi të veshkës dhe transplantim i kemi pasur disa raste. Për muajin janar i kemi pasur 11 raste, ndërkohë që për muajin shkurt i kemi pasur vetëm 7 raste. Në Kosovë nuk kryhen as biopsitë e veshkave”, thotë doktoresha.
Çështja e transplantimit të organeve në Kosovë ka mbetur një tabu në shëndetësinë kosovare që prej rastit “Medicus”. Në këtë klinikë, e cila gjendej jo shumë larg kryeqytetit, u kryen transplantime ilegale të veshkave kryesisht në pacientë të huaj. / Gazeta Shneta