Në Ditën Ndërkombëtare të Familjes është hapur ekspozita “Baballarët e Kosovës”, si dhe është publikuar libri me të njëjtin titull. Të dyja vijnë në kuadër të projektit “Përfshirja e burrave në atësi”, i cili përkrahet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara.
Në ekspozitë janë përfshirë disa burra ku kanë dhënë rrëfimin e tyre në lidhje me të qenit baba, përgjegjesitë dhe lumturia që ua sjellë kjo gjendje, shkruan Gazeta Shneta.
Ardian Nreca, zyrtar për marrëdhënie me publikun, thotë se është kënqësi kur ia ndërron pelenën vajzës së vogël. “Me djalin nganjëherë ushtrojmë bashkë, kurse me vajzën e vogël nuk e kam problem edhe t’i ndërroj pelenat asaj e as të përkujdesem për të. Përkundrazi, kënaqem kur merrem me të dhe kur i përkushtohem asaj aq sa mundem”, ka rrëfyer Nrecaj.
Ai konsideron se ndërrimi i pelenës nuk e bën më pak burrë babanë. “Nuk të bën më pak burrë nëse përlyen duart e tua gjersa i ndërron pelenat fëmijës tënd. Një burrë të vërtetë të bën përkushtimi ndaj fëmijës dhe familjes tënde”.
“Bonu burrë, ndërro pelenat dhe laj enët”, ka qenë mesazhi në fund i Nrecajt.
Kastriot Jahaj, një tjetër baba, thotë se asnjëri nuk duhet ta harrojë sakrificën që e bëjnë nënat që nga shtatzënia deri tek lindja e më pas gjidhënia dhe mbyllja në shtëpi.
“Fëmija din të të jap shumë dashuri, prandaj baballarët nuk duhet ta humbin asnjë rast madje as ndërrimin e pelenave”, ka thënë Jahaj.
Se babai dhe nëna duhet të kenë përgjegjësi të përbashkëta për kujdesin ndaj fëmijës, mendon edhe Atdhe Hoda. Ai thotë se në momentin kur çifti vendos të jetojë bashkë, atëherë gjërat duhet të jenë të harmonizuara.
“Kur të bëhesh baba, bëhu i duhuri”, ka qenë mesazhi i Hodës.
Libri dhe ekspozita synojnë vetëdijësimin e baballarëve për përgjegjësitë e tyre karshi fëmijëve. Poashtu synohet edhe ndryshimi i ligjit ku babai do të kishte mundësi që të merrte më shumë kohë të lirë nga puna, për t’u kujdesur për të posalindurin. /Gazeta Shneta/