Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar se sot është nënshkruar plotësim-ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për futjen e specializantëve në listën e pagave.
“Përmes këtij plotësim-ndryshimi të Udhëzimit Administrativ, të gjithë specializantët fitojnë të drejtën e tyre për t’u paguar nga shteti dhe të drejtën për t’u trajtuar të barabartë”, ka shkruar Ismaili në facebook, transmeton Gazeta Shneta.
Njoftimi i tij i plotë:
Jam shumë i lumtur që sot, pas një pune shumë të madhe që kemi bërë, po i fusim në pagesë qindra specializantë vullnetarë. Duke mbajtur premtimin që kemi dhënë në fillim të mandatit tonë, me rregullimin e kësaj padrejtësie, e cila ka ndodhur për vite me radhë, unë zotohem se kushtet e personelit tonë mjekësor do të përmirësohen vazhdimisht.
Përmes këtij plotësim-ndryshimi të Udhëzimit Administrativ, të gjithë specializantët fitojnë të drejtën e tyre për t’u paguar nga shteti dhe të drejtën për t’u trajtuar të barabartë. Vendi ynë ka nevojë për kuadrot e saj, andaj, përmes krijimit të kushteve, ne do t’i mbajmë ata në vendin tonë.