Ka ndërruar jetë gazetarja e RTK-së Ardita Sylejmani-Bllaca gjatë ditës së sotme. Sipas raportimeve të mediave, e ndjera ka ndërruar jetë për shkak të komplikimeve gjatë lindjes në një spital në kryeqytetin e Hungarisë në Budapest.
Vdekja e saj ka tronditur komunitetin e gazetarisë në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur trishtimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me trishtim të thellë ka pranuar lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetares Ardita Sylejmani Bllaca. Kjo vdekje e papritur ka tronditur shumë njerëz, jo vetëm ata që e njihnin personalisht, por edhe ata që e njohën vetëm nga ekrani.
Sylejmani Bllaca së fundmi ka punuar në Radio Televizionin e Kosovës. Për vite me radhë shërbeu me korrektësi dhe pasionin e një gazetareje model dhe me ambicie, andaj edhe do të lë gjurmë të përhershme në fushën e gazetarisë.
Vdekja e gazetares Sylejmani Bllaca, e cila la pas vetes 3 fëmijë, ka ardhur si pasojë e komplikimeve gjatë lindjes. Në emër të AGK-së dhe komunitetit të gazetarëve, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit dhe miqtë e së ndjerës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Ngushëllime ka shprehur edhe drejtori i RTK-së Ngadhnjim Kastrati. “Përkushtimi në punë në secilën detyrë që iu është besuar, si dhe dashuria për profesionin, bëjnë që Ardita Sylejmani – Bllaca të mbetet në kujtesën e familjarëve, miqve dhe kolegëve”, ka shkruar ai. /Gazeta Shneta/