Shoqata HANDIKOS është aktive që nga viti 1983, kurse objektiv kryesor i saj është përmirësimi i të drejtave dhe i standardeve të jetës për personat me nevoja të veçanta.
Në lidhje me veprimtarinë e kësaj shoqate programi “Mirëmengjesi Kosovë” realizoi një intervistë me drejtorin Afrim Maliqi, në ambientet e kësaj shoqate, përkatësisht në punishten e kompletimit dhe mirëmbajtjes së karrocave.
Drejtori Maliqi ka bërë të ditur se kjo punishte ka qenë aktive shumë vite më parë, por është riaktivizuar nga shtatori i vitit të kaluar me mbështetjen e dy organizatave amerikane. Ai ka bërë të ditur se kanë mbështetje edhe nga Ministria e Mirëqenies Sociale si dhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Maliqi tutje ka bërë të ditur se karroca standarde për persona me nevoja të veçanta kanë në sasi të mjaftueshme, por mungojnë karrocat speciale, të cilat i përshtaten nevojës dhe trupit të fëmijëve.
“Ne kemi dy objektiva kryesore në kuadër të organizatës tonë: ofrimi i shërbimeve sociale si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit dhe krijimi i politikave apo të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Në ofrimin e shërbimeve bëjnë pjesë edhe punishtja e karrocave, por edhe shërbimet e tjera.
Gjithsesi ne u japim prioritet fëmijëve në ofrimin e shërbimeve rehabilituese por po ashtu edhe të pajisjeve. Gjithashtu punojmë shumë edhe në gjithëpërfshirjen e fëmijëve në edukim, për arsye se numri i fëmijëve me aftësi të kufizuara të përfshirë në arsim është jashtëzakonisht i vogël.
Me këtë rast kemi mbështetjen nga ‘Save the Children’, por gjithashtu edhe nga UNICEF, si dhe nga organizata tjera ndërkombëtare dhe vendore si në ngritjen e vetëdijes, në ngritjen e kapaciteteve të stafit tonë, në ngritjen e kapacitetit të mësuesve që janë në sistemin arsimor dhe në veçanti në krijimin e kushteve në qasje të objekteve, pasi Kosova ende si ka plotësuar standardet që personat me aftësi të kufizuara ta kenë të lehtë lëvizjen e lirë si në qytet ashtu edhe në objekte”, ka theksuar Maliqi.
Ai ka thënë se ndërtimi i infrastrukturës për qasje të personave me aftësi të kufizuara është imediate që institucionet tona të fillojnë menjëherë të mendojnë për këtë çështje, pasi sipas tij ka shumë objekte të cilat nuk kanë qasje për personat me aftësi të kufizuara.
“Nëse personat me aftësi të kufizuara nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për të lëvizur lirshëm, atëherë në bazë të Ligjit kundër diskriminimit, atëherë lirisht mund të themi se personat me aftësi të kufizuara janë të diskriminuar për të lëvizur të lirë dhe për të marrë shërbime”, ka shtuar Maliqi.
Në Shoqatën “HANDIKOS” nuk mungojnë as aktivitetet sportive. Një i tillë është edhe turneu tradicional “Halit Ferizi”, që mbahet me 5 maj, ku luhet basketboll me karroca. Sivjet është edicioni i 8 i këtij turneu. “Realisht ne kemi aktivitete por nuk mund të themi se janë të mjaftueshme.
Ne bazohemi në projekte dhe për gjithçka na nevojitet mbështetja, kurse neve na kërkohet ta iniciojmë projektin, ta dizajnojmë atë dhe të kërkojmë mbështetjen dhe më pas të finalizohet projekti. E këtu është një zinxhir i problemeve, pasi infrastruktura ndikon shumë si për shembull të objektet sportive, ku në shumë qendra kemi mungesë të qasjes për persona me aftësi të kufizuara, pastaj transporti nuk është i përshtatshëm, mandej situata ekonomike e vetë personave me aftësi të kufizuara, të cilëve vazhdimisht duhet t’u afrohet transporti dhe gjërat tjera që ata të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve”, ka nënvizuar Maliqi./RTK