A.A po priste të premten në njërën prej barnatore private, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për të blerë disa barna për babanë e saj, i cili është i shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë.
Me një letër në dorë ajo tregon për “Zërin” se jodin dhe shiringat po detyrohen t’i blejnë vetë e madje, siç thotë kjo paciente, po ua blejnë edhe dorezat sterile mjekëve.
“Unë qe tri ditë e kam sjellë babanë këtu. Në Klinikë më kanë thënë se shiringat, dorezat sterile të mjekëve e gjithçka tjetër duhet t’i blejmë vetë ne, sepse në spital nuk kanë”, ka thënë ajo.
Gjatë vizitës në QKUK edhe shumë pacientë të tjerë të cilët ishin të shtrirë në këto klinika ishin të pakënaqur me mungesën e materialit shpenzues.
Ndërkohë që drejtues të ShSKUK-së kanë thënë se 60 për qind e materialit shpenzues dhe 40 për qind e barnave mungojnë./Zëri/