Në dy vitet e fundit, sipas ekspertëve të spitalit në Romë, rastet e avitaminozës apo mungesës së vitaminës B12 në shtatzëni është trefishuar.
Mjekët kanë vënë re, nëpërmjet kontrollit gjithëpërfshirës neonatal, se një nga arsyet e kësaj mungese, e ka burimin në regjimin ushqimor të gabuar të nënave, që i shkaktojnë të sapolindurit dëme neurologjike të përhershme.
Gratë në shtatzëni duhet të konsumojnë përveçse fruta e perime, edhe vezë, qumësht dhe ushqime të pasura me vitaminë B12, por gjithnjë e më shpesh vihet re se gratë zgjedhin të ndjekin një dietë vegane edhe në këtë periudhë të jetës së tyre, pa marrë parasysh rreziqet para të cilave i vënë fëmijët e tyre. Është e rëndësishme që nënat që kanë mungesë të kësaj vitamine në ushqimin e tyre, të marrin shtesa ushqimore gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji.
Edhe shoqatat e pediatrisë, në veçanti Shoqata Italiane e Pediatrisë (SIPPS) dhe Federata Italiane e Mjekëve Pediatër (FIMP), kanë ndërmarrë një fushatë për të kujtuar se ushqimi i duhur është thelbësor para dhe pas lindjes. Të dyja shoqatat, bashkë me Shoqatën Italiane të Mjekësisë së Paralindjes, së fundi, kanë vendosur të thellohen në problemin e përshtatjes së dietave vegane për rritjen dhe zhvillimin neurokonjitiv të fëmijëve.
“Për zhvillimin e duhur të fëmijës, dietat që përjashtojnë qumështin e djathin dhe ato vegane, janë të papërshtatshme, mbi të gjitha duke marrë parasysh fushëveprimin neurologjik, psikologjik dhe atë motor”, konfirmon Andrea Vania, profesor i Ushqyerjes Pediatrike në Universitetin La Sapienza në Romë.
Për këtë arsye, që nga muajt e parë të jetës së fëmijës, zgjedhja më e mirë është ajo që parashikon konsumin mbizotërues të ushqimeve bimore dhe patjetër, një përdorim, qoftë edhe të kufizuar, të produkteve shtazore. /lexo.al/