Tenderi afër 80 mijë euro për furnizim me barna për hemodializë i është dhënë kompanisë “Pharma Leader”, dy prej pronarëve të së cilës janë të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës për tenderin “Furnizim Emergjent me material shpenzues për Hemodializë nga Lista Esenciale për FSSH”. Kontrata e ndarë në tri lote me vlerë të parashikuar 79 mijë e 715,16 euro i është dhënë kompanisë “Pharma Leader”.
Historia e kësaj kompanie nis në të njëjtën kohë me themelimin e Qeverisë Haradinaj në fund të vitit të kaluar ku ministër i Shëndetësisë u emërua Uran Ismaili nga PDK. Sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, “Pharma Leader” LLC është themeluar më datën 14 nëntor të vitit 2017 nga katër pronarë: Visar Qazimi, Sebaudin Bahtijarevic, Gëzim Kalaveshi dhe Lekë Pula. Aktiviteti kryesor i kompanisë është tregtia me shumicë e artikujve farmaceutikë, ndërsa përmban edhe aktivitete tjera që lidhen me mjekësinë, shkruan Gazeta Shneta.
Dy nga pronarët e saj janë të mjaft të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Sebaudin Bahtijarevic është njëri nga pronarët dhe menaxher i spitalit të syve “Eye Hospital” në Prishtinë. Ky spital zhvillon veprimtarinë në shtëpinë milionëshe të kryeministrit Haradinaj në Dragodan. Haradinaj përfiton 7 mijë euro në muaj nga qiraja e këtij spitali, sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Integriteti i kryeministrit, përfiton afër 7 mijë euro qira nga spitali privat
Por lidhja Haradinaj-Bahtijarevic nuk përfundon vetëm në këtë qira. Pasi erdhi në pozitën e kryeministrit, Haradinaj e priti atë në zyrën e tij. Bahtijarevic në një postim në Facebook e kishte cilësuar mikun e tij me titullin Shkëlqesi. Ndërsa vetëm dy ditë më vonë, këta të dy shfaqen sërish bashkë në një takim me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev.
Ndërkaq pronari tjetër Lekë Pula është djali i ish-ministres dhe ish-deputetes së PDK-së, Justina Shiroka Pula, e cila aktualisht është në kryesinë e Grupit të Grave brenda kësaj partie. Shiroka-Pula ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave, ndërsa një mandat tjetër ka ushtruar funksionin e deputetes së PDK-së.
Për dhënien e kësaj kontrate tashmë janë deponuar edhe dy ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik nga kompania “Meditech”. Kjo kompani pretendon se “Pharma Leader” ka ofertuar me klasë Medium Flux të dializatorëve në klasën Low Flux të dializatorëve, çka ka qenë në kundërshtim me dosjen e tenderit. Sipas ankesës këta dializator do të rrezikojnë jetën e pacientëve. /Gazeta Shneta/