Ministria e Shëndetësisë nuk e ka respektuar urdhëresën e Organit Shqyrtues të Prokurimit për zbatimin e kontratës për furnizim me Salbutamol. MSH ka anuluar tenderin me arsyetimin e çmimit më të lartë sesa në treg
Ministria e Shëndetësisë më 16 qershor të vitit 2016 ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës për “Furnizim me barna nga Lista Esenciale – Loti 32: Salbutamol PLV për inh, 100mcg/dozë, 200 doza, inhalim”.
Vlera e parashikuar e kontratës ishte 1 milion e 627,921 euro derisa kontrata 24 muajshe i ishte dhënë kompanisë “ICNB&BM” me vlerën e përgjithshme 488,070 euro.
Kontrata ka shkuar në rivlerësim në muajin gusht para dy viteve dhe Komisioni ka konstatuar se çmimi për njësi prej 4.50 euro i ofruar nga “ICNB&BM”, është shumë më i lartë sesa çmimi real në treg dhe tre fish më i lartë sesa çmimi nga lista referente me 1.88 euro. Si rrjedhojë dhënia e kontratës ishte anuluar.
Kompania fituese ishte ankuar në OSHP dhe kjo e fundit e kishte detyruar MSH-në që të rikthej lëndën në rivlerësim ku më pastaj MSH më 11 tetor të vitit 2017 publikoi njoftimin për dhënie të kontratës.
Megjithatë edhe ky njoftim nuk është zbatuar nga Ministria e Shëndetësisë. “ICNB&BM” sërish kishte deponuar ankesë në gjykatën e tenderëve dhe kjo e fundit obligoi autoritetin kontraktues – MSH-në – që të zbatoj njoftimin për dhënie të kontratës brenda 5 ditësh, ndryshe do të shqiptonte sanksione.
Por Ministria e Shëndetësisë sërish nuk e ka respektuar urdhëresën duke rrezikuar kështu edhe të gjobitet pasi ka anuluar përfundimisht kontratën për Lot 32.
MSH thotë se pesë ditë pas urdhëresës ka kërkuar nga OSHP anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit pasi përmban çmime të larta krahasuar me ato të tregut.
“MSh si autoritet kontraktues e ka njoftuar OSHP-në se ky aktivitet i prokurimit mund ta dëmtojë MSh-në dhe buxhetin për shkak të çmimeve të larta. Ministria e Shëndetësisë do të shikoj të gjitha procedurat ligjore që të mos bëjë blerje me çmime të larta dhe do të ofrojë në çdo kohë dëshmi të cilat shkojnë në favor të ruajtjes së buxhetit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të MSH-së.
Në Barnatoren Qendrore të SHSKUK-së thonë se nuk ka mungesë të këtij medikamenti, ndonëse kontrata nuk është ripërtërirë që nga viti 2016.
“Furnizimi i fundit në Barnatore Qendrore ka qenë me 16.02.2018 në sasi prej 100 njësi, ndërsa stok ka pasur edhe 83 njësi. Stoku aktual i përgjithshëm i produktit në Barnatoren Qendrore është gjithsej 183 njësi Salbutamol 100mcg/doze”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/