Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shumë shkelje gjatë auditimit në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin e kaluar. Shkeljet dhe parregullsitë më të mëdha janë evidentuar në fushën e prokurimit në këtë ministri.
Auditori ka gjetur se Zyra e Prokurimit të MSH-së gjatë vitit 2016 kishte lidhur dy kontrata me dy operatorë të ndryshëm për tre llojeve të njëjta të barnave. Barnat Dextrose sol për inf. 5%, 500ml, Naterium Chloride sol për inf 0.9%, 500ml. dhe Ringer sol për inf 500ml, ishin blerë nga dy kompani me çmime të ndryshme për të njëjtën periudhë kohore. ZKA ka paralajmëruar MSH-në se një veprimtari e tillë ekspozon rrezik për dëmtim të buxhetit të shtetit, duke rekomanduar që një gjë e tillë nuk guxon të përsëritet, shkruan Gazeta Shneta.
ZKA ka evidentuar poashtu tejkalim të kontratave në dy raste nga MSH. “Në pagesat e testuara në vlerë prej 2,788,513€ për projektin ‘Ndërtimi i Klinikës Emergjente’ (8,106,238€ vlera e kontratës) dhe pagesat 141,144€ për projektin ‘Ndërtimi i Qendrës së Shëndetit Publik në Ferizaj’ (448,149€ vlera e kontratës), kemi identifikuar tejkalime në 31 pozicione të kontraktuara. Vlera financiare e tejkaluar për të dyja projektet është 297,171€ (270,176€ tek ndërtimi i Emergjencës dhe 26,995€ tek ndërtimi i QSHP-Ferizaj). Edhe pse kishte ndryshime të sasive nga kontratat fillestare të cilat reflektojnë në çmimin total të kontratave, zyra e prokurimit për këto tejkalime nuk kishte ndryshuar kontratat ashtu siç parashihet me Rregullat dhe Udhëzuesin Operativ”, thuhet në raportin e auditorit.
Në një rast tjetër MSH ka paguar operatorin ekonomik dy herë për të njëjtën punë. “Për kontratën ‘Meremetimi, punimet zejtare të objektit të qendrës së hemodializës kronike – Spitalin Rajonal të Mitrovicës’ në vlerë 153,964€, ishte bërë një mbi pagës prej 22,401€. Kjo ka ndodhur për shkak se punimet të cilat ishin kryer dhe paguar me situacionin e parë ishin faturuar dhe paguar edhe me situacionin e dytë”. /Gazeta Shneta/