Në bazë të rekomandimit të Komisionit për Hartimin e Planit të Veprimit për procesin e bartjes së kompetencave publike nga Ministria e Shëndetësisë tek Oda e Mjekëve të Kosovës, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë bartjen formale të kompetencave të mbikëqyrjes etike dhe profesionale tek OMK-ja.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Oda e Mjekëve të Kosovës përmes një postimi në faqen zyrtare të Facebook, shkruan Gazeta Shneta.
“Me bartjen e kompetecës së mbikëqyrjes etike dhe profesionale fillon vetërregullimi i komunitetit mjekësor, që nënkupton ngritje e ndërgjegjshmërisë ndaj pacientëve dhe përgjegjësi profesionale nga doktorët e mjekësisë. Kjo mbikëqyrje është edhe në shërbim të ruajtjes së integritetit profesional dhe etik të mjekut karshi tendencave kompromentuese.”, thuhet më tutje në postimin e OMK-së.
Oda e Mjekëve u treguan falenderues ndaj të parit të shëndetësisë për bartjen e kompetencave dhe njëherësh edhe angazhimin e tij.
“Në fund, shfrytëzojmë rastin ta falenderojmë Ministrin e Shëndetësisë, z. Uran Ismaili, për angazhimin e tij për të përmirësuar sistemin shëndetësor, duke u fokusuar edhe në funksionalizimin e plotë të Odës së Mjekëve.”/Gazeta Shneta/