Mosha e shtyrë e nënave dhe frytnimi artificial ka ndikuar në rritjen e numrit të lindjeve të parakohshme. Rreth 60 për qind e rasteve në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, i takojnë lindjeve të hershme
Ariana Ismaili
Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës trajton rreth 11 mijë raste të foshnjave në vit. Rreth 60 për qind e tyre janë raste të lindjeve të parakohshme. Drejtori i Klinikës, Dr. Xhevdet Gojnovci thotë se shkak për këtë është mosha e shtyrë e nënave dhe frytnimi artificial.
“Lindjet e parakohshme po vinë duke u shtuar, duke u ndikuar nga mosha e shtyrë e grave dhe fertilizimit artificial”, thotë Gojnovci. Ai shton se rreth 1800 raste në vit trajtohen në repartin intensiv e problemet më të shpeshta janë asfiksioni i foshnjave gjatë procesit të lindjes, shkruan Gazeta Shneta.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore të nënës, hipertensionit gjatë procesit të lindjes vjen deri te asfiksioni kur foshnja mbetet pa oskigjen”, sqaron tutje mjeku.
Ai ka deklaruar se Klinika përballet me mungesë të infermiereve derisa për këtë ka marr premtime se do të përmbushet pas hapjes së konkursit nga SHSKUK.
“Në baza standarde do të duhej që për dy foshnje të kujdesej një infermier kurse tek ne e kemi raportin një me gjashtë por besoj se së shpejti kjo çështje do të rregullohet për shërbime sa më cilësore”, është shprehur ai.
Klinika e Neonatologjisë së fundmi është pajisur edhe me një ultrazë Logiq V2 nga Raiffaisen Bank. Kjo pajisje do të përdoret për ekzaminime ultrasonografike të sistemit qendror nervor, ultrazë të abdomenit, zemrës dhe organeve të tjera të të posalindurve. Gojnovci ka falënderuar edhe fondacionin Action for Mothers and Children, si dhe Care for Kosovo Children e cila poashtu dhuron donacione për këtë klinikë.
Megjithatë, Neonatologjia sikurse edhe klinikat tjera të QKUK-së po vazhdojnë të përballen me mungesë barnash dhe materialeve shpenzuese. Gojnovci thotë se kohët e fundit ka filluar të përmirësohet furnizimi nga Ministria e Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/