Lindjet e parakohshme janë një sfidë shumë e madhe si për nënën, ashtu edhe për foshnjen, por edhe për rrethi familjar.
Kjo gjendje mund të krijojë situatë stresuese brenda familjes pasi që nuk jeni të sigurt për fatin e bebit dhe të nënës, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo ka qenë tema e shkrimit të radhës nga mamia Razije Musa e cila përmes rrjeteve sociale gjithmonë bën thirrje për çështje të caktuara; ajo ka kërkuar të ndërgjegjësohemi edhe sa i përket lindjeve para kohës.
Musa ka treguar se një lindje e parakohshme konsiderohet ajo kur ndodh mes javës së 34 dhe 36.
Sipas saj, nënat nuk duhet të shqetësohen pasi që edhe me këtë zhvillim, foshnjet arrijnë të marrin veten me kohën. Krejt çka kërkohet nga nënat është të qëndrojnë të qeta, larg stresit dhe sa më të relaksuara. Në të kundërtën gjithcka do të ndikojë negativisht atë dhe foshnjen.
Në fillimet e jetës së këtyre fëmijëve do të nevojitet pak më shumë përkujdesje dhe mbikëqyrje, mirëpo me vazhdimin e viteve ata do të rriten njëlloj si moshatarët e tjerë.
“zLindja premature mund t’i ndodhë çdokujt, përkundër kushteve të mira e kujdesit të mjekëve më të mirë në botë fëmijë prematurë kanë lindur edhe yjet botërore si Julia Roberts, Angelina Jolie e Celine Dion dhe sot ata fëmijë gëzojnë shëndet të plotë”, ka thënë Musa.
Më poshtë lexoni postimin e plotë:
MOS I PARAGJYKONI FËMIJËT PREMATURË
Të dashura nana uroj të jeni mirë, në kontakt me ju çdo ditë kam shumë tema për të diskutuar. Sot dua të flasim për fëmijët e lindur para kohës dhe prindërit e tyre.
Fillimisht dua t’a sqaroj se lindje e parakoshme është ajo e cila ndodhë para javës së 37 të shtatzënisë. Varësisht se në cilën jave ka lindur fëmija rikuperimi i tij do të jetë më i shpejtë apo më i ngadalshëm.
Madje fëmijët e lindur mes javës së 34 dhe 36 unë i quaj “lehtë prematur” sepse kanë ardhur në jetë pothuajse në fund të udhëtimit të tyre në barkun e nënës.
Cdo vit në botë lindin miliona fëmijë prematurë, prandaj duhet t’a kujtoni se kjo nuk ju ka ndodhur vetëm juve dhe se në momentin që ju e keni në dorë fëmijën tuaj një nanë tjetër është duke e sjellë në jetë fëmijën e saj para kohës.
Lindja premature mund t’i ndodhë çdokujt, përkundër kushteve të mira e kujdesit të mjekëve më të mirë në botë fëmijë prematurë kanë lindur edhe yjet botërore si Julia Roberts, Angelina Jolie e Celine Dion dhe sot ata fëmijë gëzojnë shëndet të plotë.
Prandaj, më dëgjoni me kujdes, fëmijët e lindur parakohe kanë nevojë për një kujdes të shtuar mjekësor që ofrohet edhe në Klinikën e Neonatologjisë në Prishtinë. Pasi që qëndrimi në spital ka përfunduar dhe mjekët kanë ardhur në përfundim se ju mund të shkoni në shtëpi me fëmijën tuaj nuk ka vend për të paragjykuar.
Ai fëmijë do të rritet dhe do të jetë njësoj si fëmijët e tjerë, normalisht se në fillimet e hershme kujdesi juaj do të jetë më i shtuar në mënyrë që të mos e ekspozoni ndaj viruseve dhe kontaktit me njerëz të shumtë pasi që sistemi i tyre imunitar nuk është i njejtë me atë të një fëmije të lindur në kohë, por kjo nuk do të thotë se ai nuk do i arrij të gjitha objektivat.
Prindërit e fëmijëve të lindur para kohës janë të stresuar, për nanën e re nuk është e lehtë të hyjë në një proces të lindjes papritur, totalisht e papërgatitur, e me shume stres, prandaj gjithë rrethi e shoqëria duhet të jeni përkrahje e saj.
Është me rëndësi që ju nana të jeni të qeta sepse ajo ndikon drejtpërdrejtë edhe te fëmija juaj.Në ditët e para pas lindjes fokusohuni në ushqyerjen me qumësht gjiri dhe besojini mjekëve.
Fëmijët prematurë flejnë më gjatë prandaj zgjoni ata kohë pas kohe për t’u ushqyer me qumësht gjiri. Në spital ata i mbajnë më ngrohtë, 22-26 gradë është temperatura e pranueshme por ngadalë ju filloni ta zbritni ashtu që maksimalja të jetë vetëm 22 gradë, kjo ndodhë pasi që e merr beba veten.
Mos e lejoni askënd të vë në pikëpyetje shëndetin e fëmijës tuaj, mjafton të flisni me mjekun, të tjerët nuk janë të thirur për të dhënë komente.
Nga përvoja ime shumë vjeçare u’a them me plot përgjegjësi se kam takuar fëmijë prematurë që kur janë rritur kanë arritur të jenë shumë më të suksesshëm në jetë se sa fëmijët e lindur në kohë.
Me dashuri, Razija.