Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Dr. Blerim Syla, ka ngritur dyshime mbi deklaratat e kirurgëve se për shkak të grevës së tyre po anulohen rreth 200 operacione brenda ditës në QKUK.
Sipas Sylës, 200 operacione të anuluara është numër i ekzagjëruar, por edhe nëse do të ishte e vërtetë, atëherë nuk është për t’u mburrur pasi po e pësojnë pacientët.
“Nuk është për mu mburr se po anulohen 200 operacione në ditë, megjithëse dyshoj se janë 200. Kjo i dëmton pacientët sepse ato operacione do të kryhen dikund tjetër dhe unë nuk e di se ku”, ka deklaruar Syla në RTK, transmeton Gazeta Shneta.
Kryesindikalisti grevën e kirurgëve po e konsideron si veprim i një grupi të mjekëve, për të cilët kanë thënë se vitin e kaluar kanë qenë të kënaqur me koeficient pesë ndërsa tani po kërkojnë koeficient 10.
“Veprimet tona kanë qenë shtetbërëse të cilat e ruajnë stabilitetin. Për të tjerët unë nuk mundem me fol. Është një grup i kirurgëve që janë në grevë. Ata nuk i kanë dëgjuar rekomandimet e sindikatës. Ata kanë qenë të kënaqur me koeficient pesë gjatë bisedimeve që kemi pas vitin e kaluar e tash qka ka ndryshu nuk e di”, ka thënë Syla.
Ai ka thënë se kirurgët nuk i përfaqësojnë të gjithë specialistët në Kosovë, ndërsa ka theksuar se do ta presin miratimin e projektligjit për pagat në Kuvend.
Në anën tjetër Dr. Arbër Morina ka thënë se janë të zhgënjyer me përfaqësimin që ka bërë FSSHK, duke deklaruar se nuk i ka mbrojtur interesat e specialistëve. “Ne jemi distancuar nga sindikata dhe jemi zhgënjyer me ta sepse asnjëherë nuk e kanë përfaqësuar dinjitetshëm interesin e specialistëve”, ka thënë Morina në RTK.
Ai ka theksuar se kërkesat e tyre janë të panegociueshme dhe nuk do ta ndalin grevën. “Ne kemi bërë të qartë se kërkesa jonë është e panegocioueshme. Ne specialistët nuk jemi një organizatë që bën pazare. Ne jemi struktura më profesioniste e shtetit tonë. Ne do të jemi në grevë derisa udhëheqësit tonë do t’i kuptojnë kërkesat tona”, ka thënë ai. /Gazeta Shneta