Në konkursin e fundit të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, mjekët specialistë nuk kanë shprehur interesimin për t’u punësuar, me gjithë mungesën e kuadrove mjekësore.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, më herët ishin kërkuar 2 kirurgë të përgjithshëm, derisa nuk ka pasur asnjë kandidat për këtë pozitë.
Poashtu, edhe në spitalin e Mitrovicës nuk kishte të interesuar të aplikojnë për punë si specialist të Neurologjisë, Otorinolaringologjisë, sikurse që nuk kishte asnjë interesim edhe për specialistë për punësim në repartin infektiv të këtij spitali, pikërisht aty ku ka mungesë të mjekëve.
Derisa, në spitalin e përgjithshëm të Gjakovës, edhe përse ishte kërkuar një specialist i Otorinolaringologjisë dhe specialist i radiologjisë, as këtu nuk kishte ndonjë të interesuar.
Ahmet Asllani, drejtor i spitalit të Gjakovës, tregon për Radion Evropa e Lirë se mungesa e mjekëve specialist të fushave të caktuara është shumë e madhe.
Si duket këta mjek si qëllim të tyre kanë punësimin në vendet e Bashkimit Evropian. Ai theksoi faktin se edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës mbetet një ndër vendet ku mjekët specialistë kanë dëshirë të punësohen.
“Kemi deficit në disa reparte, për shembull në oftalmologji, e që është vetëm një mjeke 62 vjeçare. Kemi hapur konkurs, për oftalmolog për ORL dhe rengenologjisë. Ende është i hapur konkursi dhe asnjë kandidatë nuk ka konkurruar”.
Asllani më tej vazhdon duke thënë se në repartin e ORL janë dy mjekë të moshës 63 vjeçare, por ai thotë se çdo repart duhet t’i ketë nga 5 mjekë specialist dhe të punohet edhe në shërbime për një numër më të madh të pacientëve.
Ndërsa, Shpend Fazliu, zyrtar për informim në QKUK, thotë se në konkursin publik të shpallur nga ana e këtij institucioni për vende të lira pune, janë paraparë 22 profile të ndryshme mjekësore, ku u kërkuan rreth 28 specialistë.
Edhe përse ekzistojnë këto pozita të lira Fazliu tregon se ka pasur një mos interesim të madh nga ana e mjekëve.
“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e specialistëve, por nuk ka pasur interesim për spitalet regjionale çuditërisht. Ne si shërbim spitalor ftojmë të gjithë specialistët që janë të pa punë që të aplikojnë dhe të plotësojmë vendet e punës për të cilat ka edhe buxhet për vitin 2018, dhe tu ndihmojnë qytetarëve në nevojë të atyre regjioneve”,vijon më tutje Fazliu.
Sido që të jetë, Ligji i punës nuk i obligon mjekët specialistë që të punojnë aty ku ka mungesë por e lë mundësinë e zgjedhjes ku ata dëshirojnë dhe mund të arrijnë të punësohen. Ky ligj nuk lejon që një mjek që ka kontratë pune me një institutcion publik shëndetësorë të aplikojë edhe në ndonjë spital regjional.