Mjekët serbë e pengojnë anëtarësimin e OMK-së në Komitetin e Mjekëve Evropian

2018-11-09 në ora 10:07

Oda e Mjekëve të Kosovës ka dal sot me një deklaratë ku thotë se po pengohet anëtarësimi i saj në Komitetin e Përhershëm të Mjekëve Evropian (CPME), nga Oda e Mjekëve të Serbisë në bashkëpunim me qeverinë serbe.

OMK thotë se para disa muajsh ka parashtruar kërkesën për anëtarësim në CPME dhe me qëllim të përcjelljes së punimeve të asamblesë së kësaj organizate, kryetari Pleurat Sejdiu dhe nënkryetari Naser Gjonbalaj, do të marrin pjesë më datën 10-11 nëntor në Gjenevë të Zvicrës.

“Ndonëse OMK-ja i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret e parapara me dokumente juridike të brendshme të CPME-së, të konfirmuara edhe nga udhëheqja e CPME-së, me qëllim të parandalimit të anëtarësimit të OMK-së në këtë organizatë ndërkombëtare, Oda e Mjekëve të Serbisë në koordinim me Qeverinë e Serbisë, është duke u përpjekur të pamundësojë anëtarësimin e OMK-së në CPME”, thuhet në reagimin e Odës së Mjekëve të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.

OMK shkruan tutje se ndonëse qëllimi dhe misioni i kësaj organizate ndërkombëtare është apolitik, profesional, filantropik dhe edukativ, shteti serb është duke u angazhuar me çdo kusht të ndalojë anëtarësimin e OMK-së si përfaqësuese e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar.

Mjekët serbë i kanë dërguar një letër CPME-së ku iu kërkohet që të shtyhet shqyrtimi i OMK-së, deri sa të përfundojë dialogu Kosovë-Serbi dhe të gjendet zgjidhja përfundimtare. Në këtë letër poashtu Kosova trajtohet si territor pa status të definuar.

OMK në anën tjetër ka reaguar poashtu duke i dërguar letër organizatës evropiane në të cilën sqarohet se gjatë dialogut Kosova dhe Serbia kanë marr obligime që të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe nismat regjionale.

“Ndonëse është kërkuar tërheqja e aplikacionit për anëtësimin e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar, OMK është e vendosur që këtë proces ta shtyjë deri në realizimin e anëtarësimit në CPME”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *