Një nënë ka sjellë në jetë fëmijën shëndoshë e mirë me ndihmën e mjekëve të QKUK-së. Ajo kishte vizituar edhe një klinikë private në Shkup, ku i rekomanduan abort por instinkti i nënës nuk lejoi një gjë të tillë dhe iu besoi mjekëve të Kosovës çka rezultoi me sukses
Nëna 32-vjeçare J.D. e nisi shtatzëninë e pestë në mënyrë normale, por më vonë do t’i vështirësohej për shkak të grupit të kundërt të gjakut me bashkëshortin e saj. Ky problem ndodh kur gruaja ka grupin e gjakut 0 negativ ndërsa burri 0 pozitiv.
Ai mund të shmanget nëse në shtatzëninë e parë, gruaja e merr injeksionin RhoGAM. Ky injeksion është i përbërë nga antitrupat e quajtur imunoglobulinë që ndihmojnë në mbrojtjen e fetusit nga antitrupat e babait. Ndryshe njihet si “fëmijë i sensibilizuar” dhe rrezikohet që të mbetet anemik gjatë kohës së shtatzënisë çka mund të përfundojë me fatalitet.
Por J.D. nuk e kishte marr këtë injeksion herën e parë. Nga pesë shtatzënitë, e katërta fatkeqësisht i kishte dështuar. Me këtë rrezik ajo u përball edhe në shtatzëninë e pestë, e madje gjatë një vizite në një klinikë private në Shkup i kishin rekomanduar abort.
“Kam qenë edhe në Shkup në klinikën Sistina më kanë thanë me abortu, por nuk kam pranu”, ka deklaruar ajo. Nëna thotë se disa mjekë të tjerë i kanë rekomanduar edhe ndërrimin e gjakut të fetusit në Francë, por ajo s’kishte pranuar as këtë opsion.
Mjeku i cili e ka përcjellë shtatzëninë e saj, gjinekologu Dr. Jakup Ismaili, thotë se çdo dy javë është dashur të bëhen vizita për të bërë testin e antitrupave (Antibody titer) i cili në javën e shtatë ka qenë 1 me 2014, ndërsa në javën e 35-të 1 me 8024.
“Zakonisht këto shtatzëni përfundojnë me hidrops, një nga komplikimet më të shpeshta kur fetusi mbushet me lëng për shkak të anemisë. Rasti i pacientes për shkak të vlerave të larta të antitrupave ka qenë mjaft i rrallë, por ne kemi bërë gjithçka që ka qenë në dorën tonë”, ka thënë Ismaili.
Pas konsultave me specialistë të tjerë, neonatologë, është vendosur që shtatzënia të ndërpritet dhe të kryhet lindja me operacion. Dr. Xhevdet Gojnovci ka thënë se foshnja ka lindur me peshë 2780 gramë dhe menjëherë është transferuar në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë. “Menjëherë janë realizuar analizat laboratorike të cilat kanë rezultuar me një sensibilizim të lartë të foshnjës dhe një anemi të rëndë. Menjëherë është realizuar kërkesa për gjak që të realizohet Ekssanguinotransfuzioni që ka efekt në zvogëlimin e antitrupave dhe në përmirësimin e anemisë”, ka deklaruar Gojnovci.
Ai ka treguar se foshnja tani është në gjendje të mirë, ushqehet nga nëna dhe pritet shumë shpejt që të lirohet nga spitali. Në anën tjetër nëna ka falënderuar gjinekologët në Klinikën e Gjinekologjisë dhe mjekët në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK për kujdesin ndaj saj dhe foshnjës. /Gazeta Shneta/