Njësoj sikur në muajt e kaluar, Ministria e Shëndetësisë as në muajin prill nuk ka arritur t’iu sigurojë furnizimin e insulinave Qendrave Klinike Mjekësore Familjare.
Ky dikaster, në një përgjigje për “Indeksonline” ka bërë të ditur se kontrata është nënshkruar dhe pritet të nisë furnizimi me insulina analoge që nga java e ardhshme.
“Ndërsa për të përmbushur të gjitha kërkesat në afat sa më të shpejtë të mundshëm, MSh ka zhvilluar procedura me afate të shkurtuara për sigurimin e insulinave analoge, është nënshkruar edhe kontrata, derisa nga java e ardhshme e këtij muaji, do të behët furnizimi i rregullt sipas kërkesave të institucioneve edhe me insulinë analoge”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.
Insuliat analoge siç janë ato Novorapid dhe Novomix, janë në mungesë të vazhdueshme dhe që vonohen deri sa arrijnë të shpërndahen. Ato janë edhe më të shtrenjta për t’u blerë, si dhe janë më të rekomanduarat nga mjekët./Indeksonline/