Ministria e Shëndetësisë ka vonuar shpërndarjen e insulinave analoge (Novomix, Novorapid) nëpër Qendrat e Mjekësive Familjare.
Portali Indeksonline ka kuptuar se kjo vonesë mund të zgjasë edhe për dy javë të tjera apo më shumë.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në fundin e kësaj jave pritet të nisë shpërndarja e 40 mijë njesive të insulinës analoge, për vazhdim të furnizimeve të rregullta.
Faik Hoti, zyrtar për komunikim në MSh, ka thënë për Indeksonline se deri më tani janë bërë furnizime të insulinave analoge, por me sasi të kufizuara.
“Javën që shkoi, gjithashtu, MSh ka bërë furnizime edhe me Insulinë analoge (në sasi të kufizuara) të ndara në mënyrë proporcionale nëpër QKMF, ndërsa me qëllim të përmbushjes së të gjitha kërkesave për këtë lloj insuline, Ministria ka zhvilluar procedura me afate të shkurtuara për sigurimin e tyre, është nënshkruar edhe kontrata dhe ka fundi i kesaj jave pritet të fillojë shpërndarja e rreth 40 000 njësive të para të Insulinës Analoge, për të vazhduar pastaj me furnizime të rregullta”, ka thënë Hoti.
Hoti ka deklaruar edhe se insulinat humane po shpërndahen sipas kërkesave dhe se ka mjaftueshëm.