Ministria e Shëndetësisë është zhytur në borxhe me subvencionet për Trajtimin e pacientëve Jashtë Institucione Publike.
Ministrisë i janë grumbulluar mbi 7 milionë euro borxhe, nga fletëzotimet që u janë lëshuar rreth 1800 pacientëve gjatë këtij viti.
Gazeta Shneta merr vesh se MSH më së shumti borxhe ka ndaj spitaleve në Turqi, ku janë dërguar më shumë pacientë për trajtim.
Poashtu borxhe ka edhe ndaj spitaleve private në Kosovë, në Maqedoni, Shqipëri, Greqi, Gjermani e Austri.
Se Ministria e Shëndetësisë ka obligime ndaj spitaleve private, ka konfirmuar edhe zëdhënësi Faik Hoti.
Ai ka thënë se këto obligime do të shlyhen, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 11 milionë eurove për MSH-në.
“6 milionë e 800 mijë do të shkojnë në Programin e Trajtimit Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike si subvencione”.
“Mjetet për programin e Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, do të përdoren për të mbuluar obligimet e rasteve të trajtuara, eventualisht edhe të mbulimit për trajtim të ndonjë rasti tjetër”, ka thënë Hoti.
Nga 11 milionët, 3.600.000 do të përdoren për blerjen e barnave dhe materialit shpenzues për SHSKUK-në.
Ndërsa me 600 mijë euro do të paguhen specializantët. /Gazeta Shneta/