Ministri i ri i Shëndetësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Dr. Arben Vitia, gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar kishte premtuar rritje të pagave për sektorin shëndetësor.
Vitia gjatë një debati në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit, kishte thënë se pagat e mjekëve do të rriten ashtu sikurse kanë kërkuar ata vet, me koeficient 6, shkruan Gazeta Shneta.
“Sa i përket rritjes së pagave për punëtorët shëndetësorë nuk do të jetë as më pak as më shumë sesa kanë kërkuar ata vet, përshembull mjekët kanë kërkuar koeficient 6 dhe iu është bërë 5”, kishte deklaruar Vitia.
Kujtojmë se ky premtim i Vitisë ka ardhur pas miratimit të Ligjit për Paga në Kuvendin e Kosovës në legjislaturën e kaluar para një viti. Ligji ishte përcaktuar të hynte në fuqi në dhjetor 2019, por i njëjti u pezullua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesave të disa sindikatave.
Fati i këtij Ligji ende nuk dihet as me qeverinë e re të formuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, e aq më pak nuk dihet se si do të mund ta ndryshojë Vitia koeficientin e mjekëve.
Kujtojmë se përveç mjekëve, koeficient më të lart kanë kërkuar edhe infermierët dhe punëtorët tjerë shëndetësorë. Ata janë radhitur me 2.2 dhe 2.25, por infermierët kanë kërkuar së paku 3.0. /Gazeta Shneta/