Ministri i ri i shëndetësisë Dr. Arben Vitia, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kishte premtuar investime në shëndetësi dhe furnizim të vazhdueshëm me barna.
Në një debat politik që ishte mbajtur në Prishtinë, Vitia pati deklaruar se pa ndërtim të sistemit funksional shëndetësor nuk do të mund të realizohet asnjë premtim, shkruan Gazeta Shneta.
Ai kishte thënë se ndërtimin e sistemit e garantojnë implementimi i sigurimeve shëndetësore me sistemin informativ shëndetësor dhe protokollet mjekësore. “Kjo do të fillojë dhe do të garantojë ndërtimin e sistemit, rritjen e investimeve në shëndetësi 120 milionë euro gjatë mandatit, në SHSKUK nuk do të mungojnë kurrë mjetet dhe barnat, Lista Esenciale do të buxhetohet në atë mënyrë që të kemi barnat më të mira të mundshme, dhe zero tolerancë ndaj keqpërdorimeve dhe korrupsionit”, pati deklaruar Vitia.
Mjeku që ka ardhur ministër nga Lëvizja Vetëvendosje, ka premtuar se do të ketë investim në avancimin e shërbimeve në nivelin primar të mjekësisë familjare, pasi sipas tij kështu edukohen qytetarët dhe parandalohen sëmundjet.
Poashtu Vitia pati deklaruar se investimi në higjienën orale do të jetë prioritet i qeverisë, ndërkaq në vitin e parë të mandatit do të ndalohet blerja e antibiotikëve pa recetën e mjekut. /Gazeta Shneta/