Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, bazuar në Ligjin për kryeqytetin, i cili parasheh ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, ka thënë se ndërtimet për Spitalin e Prishtinës do të bëhen nga viti 2019.
“Planifikimin strategjik do ta bëjmë gjatë këtij gjashtëmujori, ndërsa sa i përket ndërtimit me siguri ajo do të vijë pas saj, që do të jetë për vitin e ardhshëm”, ka deklaruar Ismaili për Ekonomia Online.
I pari i shëndetësisë ka thënë që së pari duhet të bëhet studimi i fizibilitetit për nevojat reale të qytetarëve, dhe se spitali të jetë funksional dhe i kompletuar edhe me staf adekuat
Ai ka shtuar se kjo duhet të bëhet që ndërtimi të mos zvarritet si në të kaluarën.
Për këto çështje ministri Ismaili ka diskutuar me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, ditë më parë.
“Pra, të kemi një plan strategjik e të mos futemi në një projekt i cili pastaj zvarritet ose mbetet për kohë të gjatë”, ka thënë Ismaili.
Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër planifikimin dhe dizajnimin e projektit, ndërsa komuna do të angazhohet fillimisht për ta gjetur lokacionin e përshtatshëm për ndërtim.
“Unë si ministër i Shëndetësisë do të merrem me planifikimin, dizajnin dhe të gjitha konceptet që vijnë, ndërsa komuna fillimisht do të gjejnë lokacionin”.
“Si planifikimin ashtu edhe lokacionin do ta bëjmë bashkërisht, natyrisht dhamë edhe përgjegjësi të ndara”, ka deklaruar Ismaili për EO.
Kurse në komunën e Prishtinës kanë deklaruar se mirëpresin bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë për spitalin e Prishtinës dhe se pritet që të krijohen grupet punuese, në mënyrë që puna të mos vonohet.