Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka ndaluar nënshkrimin e kontratës së propozuar për të cilën është raportuar sot në medie rreth sigurimit të tabletave për trajtimin e leukemisë. Madje, Ismaili ka njoftuar në mbledhjen e Qeverisë se në ditët në vazhdim do të formojë grup punues ndërministror për hetimin e çmimit të barnave.
“Në ditët në vijim unë do të formoj një grup punues ndërministror që të trajtojë këtë çështje shumë të rëndësishme, që më pas të dalim me plan konkret dhe me reforma legjislative”, ka thënë ministri Ismaili.
Më tej ai ka shtuar se pavarësisht problemeve të shumta në këtë sektor do t’ia arrijnë që të vendosin rregull.
“Unë e di që brengë e kësaj Qeverie, edhe kur e kemi diskutuar buxhetin, ka qenë që ne të vendosim rregull edhe në këtë sektor, çka besoj se edhe do ta arrijmë”, ka thënë ministri Ismaili. Në fund, Ismaili ka njoftuar se sot gjatë ditës ai ka thirrur në takim urgjent Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Autoritetin e Konkurrencës për hetuar këtë çështje deri në fund.